Nxënësit kërkojnë nga kryeministri që arsimi të jetë prioritet, nuk marrin asnjë premtim konkret

Disa nxënës në bashkëpunim me organizatën gjermane GIZ, sot i dorëzuan kryeministrit dhjetë libra me nënshkrime të nxënësve, mësimdhënësve, prindërve dhe qytetarëve, të cilët kërkojnë arsim më cilësorë.

Gjatë takimit të sotëm u kërkua nga kryeministri që arsimi të jetë prioritet në Kosovë, Qeveria të ndajë më shumë buxhet për këtë fushë dhe të mos lihen anash nxënësit e komuniteteve pakicë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj tha se nxënësit dhe qytetarët në përgjithësi kanë nënshkruar një peticion përmes të cilit kërkojnë që arsimi të jetë prioritet.

Qeveria e Kosovës sot mori edhe disa obligime, për të cilat nuk mund të jap premtime, tha kryeministri, por sipas tij, ky veprim e ka edhe ndikimin e vetë.

“Qëllimi dhe ajo çka mësova sot është se vitin e kaluar GIZ-i së bashku më të gjithë që e kanë përkrahë e kanë filluar një peticion për arsim më kualitativ dhe kanë mbledh mbi 124 mijë nënshkrime disa prej të cilave i kanë me vete dhe i kanë dorëzuar sot me kërkesën që Qeveria e Kosovës me e kthy në prioritet arsimin. Sot si Kosovë edhe me Parlamentin edhe me Ministrinë besoj se kemi marrë obligime. Unë nuk i precizova dhe nuk dhashë një premtim që do të ndodhë vënia në prioritet e arsimit, por ju siguroj që vetë ky gjest do ta ketë ndikimin e vetë”, tha Haradinaj.

Nxënësi Vlon Shehu, tha se sot u diskutua për pengesat në të cilat hasin të rinjtë gjatë arsimimit.

“Kemi folur për pengesat dhe gjëra të ndryshme. Besoj që kryeministri bashkë me neve së bashku si një dorë e vetme do t’i arrijmë t`i tejkalojmë këto pengesa. Shpresojmë që ka me na i rrit shpresat dhe kryesorja e asaj që ne po presim është riparimi i librave dhe kurrikulës, mjetet e shumë gjëra tjera”, tha ai.

Ndërkaq, Boris Scharlowski, udhëheqës i projektit GIZ CDE tregoi që përmes këtij peticioni kërkohet që arsimi të jetë prioritet, të rritet buxheti për arsim, si dhe të përfshihen nxënësit e komuniteteve në sistemin e edukimit.

“I kemi tri nivele të ndryshme të kërkesave, e para është që arsimi të bëhet prioritet  duke e përfshirë këtu edhe rritjen e buxhetit. E kjo rritje e buxhetit të transferohet në cilësi më të mirë në arsim në arsimin fillor. Kjo nënkupton trajnim dhe aftësim të mësimdhënëse, tekste shkollore që janë me standarde ndërkombëtarë, arsim parashkollor, trajnim të drejtorëve të shkollave, përfshirje më të mirë të prindërve dhe nxënëseve, si dhe gjithëpërfshirje të nxënësve të komuniteteve pakicë, si romë, egjiptian dhe ashkali. Edukimi është një zotim i secilit në shoqëri”, theksoi Scharlowski.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, si dhe deputeti dhe anëtari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi.

“Fushata për Arsim më të mirë në Kosovë”, nga Organizata GIZ ka filluar që nga nëntori i vitit të kaluar, andaj pjesë e saj ishte edhe peticioni i cili u dorëzua sot.