Nuk janë Llogaritur Dëmet nga Protesta

Atë ditë, kur protesta po i afrohej fundit, objekti i qeverisë dhe më pas edhe autoblindat e policisë u sulmuan me kokteje molotovi që shkaktuan shpërthim zjarri dhe përfshirjen e tyre nga flaka.

Qeveria dhe Policia e Kosovës nuk kanë dalë me ndonjë shifër të dëmeve që janë shkaktuar, ndërsa Komuna e Prishtinës tha se nuk ka pasur asnjë dëm material, përveç intervenimit për pastrimin e shesheve dhe rrugëve të qytetit.

Arban Abrashi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, nuk ka dhënë përgjigje për KALLXO.com, lidhur me dëmet që iu bënë ndërtesës së qeverisë, duke u arsyetuar se posa të marrë informacion nga administrata do të kthejë përgjigje.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës tha për KALLXO.com se policia është duke bërë të gjitha vlerësimet operacionale lidhur me mbarëvajtjen e protestës, duke përfshirë edhe dëmet e shkaktuara nga ana e protestueseve të dhunshëm.

“Si pasojë e disa protestuesve të dhunshëm, janë shkaktuar lëndime të disa zyrtarëve si dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në automjetet zyrtare, por edhe në prona publike e private,” tha ai.

Ndërkaq, Miranada Mullafazliu, zyrtare për informim në Komunës e Prishtinës, tha se nuk ka pasur dëme materiale në qytet.

“Dëme materiale në qytet nuk ka pasur, derisa është intervenuar menjëherë në pastrimin e shesheve dhe rrugëve të qytetit, si çdoherë pas tubimeve apo manifestimeve të mëdha në qytet,” tha ajo.

KALLXO.com, një ditë pas protestës solli pamje nga sheshet e kryeqytetit. Një pjesë e fasadës së ndërtesës së qeverisë kishte mbetur e nxirë nga flakët e disa koktejeve të molotovit të janë hedhura nga protestuesit.

Gjithashtu, në pjesët ku u zhvillua protesta shiheshin vazo, shporta e shenja komunikacioni të demoluara, e po ashtu mbetjet e gurëve të cilët të shtunën ishin të shumtë.

http://kallxo.com/kryeqyteti-pas-protestes/

Në protestë, sipas deklaratës së drejtorit të Klinikës Emergjente Basri Lenjani, 11 persona të lënduar kanë kërkuar ndihmë emergjente. 9 nga ta ishin policë, një kameraman dhe një protestues.

http://kallxo.com/dy-police-dergohen-ne-emergjence/

Edhe policia kishte bërë bilancin e protestës ku kishin vlerësuar se koktejet e molotovit ishin mjet i rrezikshëm dhe mund të ishin vdekjeprurës për zyrtarët policorë.

http://kallxo.com/policia-ben-bilancin-e-protestes-2/

Objektit qeveritar i qenë thyer xhamat edhe gjatë protestës pas arrestimit të deputetes Donika Kadaj-Bujupi më 18 nëntor. Atëherë dëmet ishin vlerësuar 40 mijë euro.

http://kallxo.com/40-mije-euro-kushton-rregullimi-i-xhamave-te-objektit-qeveritar/