Një muaj paraburgim për narkotikë për shqiptarin nga Durrësi

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti për Krime të Rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit me iniciale M.B. nga Durrësi.

Kjo për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, blerje, posedim, shpërndarje ose shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge. 

“Masa e paraburgimit do të llogaritet prej momentit të arrestimit datë 03.08.2018 nga ora 19:00  dhe do të zgjasë deri më datën 02.09.2018”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.

 Sipas Gjykatës Themelore të Prizrenit, me datën 13.01.2017 rreth orës 16:45 minuta, në pikën kufitare Shqipëri –Kosovë, në vendkalim të Vërmicës është vërtetuar se i njëjti pa autorizim ka poseduar me qëllim të shpërndarjes dhe transportimit substancë narkotike të cilat janë shpallur me ligj si narkotik.

“Në atë mënyrë që me rastin e kalimit të pikës doganore si pasagjer në autobusin e linjës Durrës – Prishtinë, me rastin e kontrollimit i cili është bërë tek autobusi, në karrigen e pasme të fundit të anës së djathtë, është gjetur një paketim ku ishte paketuar lënda e dyshuar narkotike e llojit marihuanë sasi prej 345.3 gram e cila më pastaj është konfiskuar nga ana e policisë kufitare”, përfundon njoftimi i gjykatës.