30 ditë paraburgim për të dyshuarin si administrator i grupit ‘Albking’, deklarohet avokati i tij
Gjykata e Prishtinës ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për të ia caktuar masën prej 30 ditë paraburgim Edin Nevzadit, i dyshuari si njëri nga adminët e grupit ‘AlbKing’.
Avokati i Edin Nevzadit, Besnik Neqiri tha për KALLXO.com se vendimi i gjykatës për paraburgim është masë ekstreme.
“Pak më herët e pranova vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinës me të cilin i është caktu paraburgimi prej 30 ditë. Arsyet e kundërshtimit i kemi dhënë edhe në gjykatë. Konsiderojmë që një masë e tillë është masë ekstreme dhe nuk është proporcionale në rastin konkret” – tha avokati i Edin Nevzadit, avokat Besnik Beqiri.
Sipas tij, qëllimi i masës së sigurisë mund të arrihet edhe me masa më të buta se paraburgimi.
“Edhe me masa të tjera më të buta mund të arrihet sigurimi i të pandehurit në procedurë” – ka thënë më tutje avokati.
Ai paralajmëroi ankesë në Gjykatë të Apelit për këtë vendim. Beqiri qartësoi se ky vendim i themelores do të apelohet prej mbrojtjes.
“Brenda afatit prej 48 orëve do të ushtrojmë ankesën në Gjykatën e Apelit dhe shpresojmë që Gjykata do të marrë një vendim të ligjshëm dhe të mbrojturit tim t’i caktojë një masë më adekuate” – ka përfunduar avokat Besnik Beqiri.
Gjatë ditës së sotshme (18.04.2024) Gjyqtarja e Prishtinë Donikë Shala e ka miratuar kërkesën e prokurores së rastit Elza Bajrami për të shqiptuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh nga personit i cili po dyshohet se është njëri nga administratorët e grupit në Telegram “AlbKings”.
Seanca lidhur me vendosjen rreth kësaj kërkese është mbajtur e mbyllur.
Edin Nevzadi ishte arrestuar nga Policia me 17.04.2024.
Grupi “Albkings” ishte formuar në rrjetin social “Telegram”, në të shpërndaheshin të dhëna personale, emra, mbiemra, numra të telefonit si dhe video e fotografi intime, denigruese kryesisht të vajzave dhe grave.
Shënim: Redaksia e KALLXO.com ka vendosur që për shkak të sigurisë kibernetike të gazetarëve të mbuloj emrin e gazetarëve.