Nis sot edicioni i 17-të i festivalit të kulturës dhe verës, ‘Festari’

Koncerti i fëmijëve në Sheshin “Fadil Vata” në Suharekë do të shënojë sot fillimin e edicioni të 17- të të festivalit të kulturës dhe verës, “Festari”.

“Festari” është festë zyrtare e të gjithë qytetarëve të Komunës së Suharekës, dhe këtë vit hapjen solemne do të bëjë me hapjen e ekspozitës personale të Saimir Stratit.

Refki Gollopeni, krijuesi dhe zëdhënës i festivalit ka thënë se  për se gjatë kësaj feste krijohen vlera të reja shpirtërore, humane, artistike, sportive si dhe mëtohet ruajtja e vlerave të traditës.

“Qëllimi i Festarit është fisnikërimi shpirtëror, krijimi i vlerave humane, nxitja e punës kreative, tolerancës, integrimeve, respektit, bashkëpunimit, ruajtja e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe traditës, zhvillimi i shumë aktiviteteve kulturore, sportive, turistike  dhe ekonomike”, ka potencuar Gollopeni.

“Festari” është tradicional dhe realizohet javën e fundit të muajit shtator.

Rrushi dhe përpunimi i verës është karakteristikë mijëvjeçare e trevës të Suharekës andaj edhe ky festival përkon kohën e vjeljes së rrushit dhe përpunimin e verës.

Edicioni i sivjetmë i ‘Festarit’,  i shtatëmbëdhjeti me radhë, do të zgjasë deri të dielën e ardhshme, më 30 shtator 2018.

Në kuadër të festivalit  do të ketë shumë aktivitete, ku veçohet ekspozita e Saimir Stratit dhe Kolonia e ndërkombëtare e artit.

Në programin e ditës së sotme është koncerti i fëmijëve që mbahet në ora 18:00 në sheshin “Fadil Vata” dhe hapja e ekspozitës personale me punime në teknikën e mozaikut të Saimir Stratit, fituesit të 10 rekordeve të Ginness në tekniken e Mozaikut.