Marsh Protestues dhe Mbledhje Përkujtimore për Astrit Deharin

Në kryeqytet ka nisur marshi protestues për drejtësi, i organizuar nga organizatat studentore të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, pas vdekjes në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit të Astrit Deharit, i cili ishte student i Mjekësisë në UP.

Marshi ka filluar te Biblioteka Kombëtare dhe ka vazhduar deri te Teatri Kombëtar, ku do të bëhen homazhe.

Qindra persona, kryesisht studentë, por edhe qytetarë e udhëheqja e Lëvizjes Vetëvendosje, po marrin pjesë në këtë marsh protestues.

Astrit Dehari, 26-vjeçar, vdiq të shtunën në rrethana ende të pasqaruara në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit.

Gjatë ditës së djeshme i është bërë autopsia trupit të tij.

http://kallxo.com/syle-hoxha-astrit-dehari-ka-vdekur-nga-asfiksia/

KALLXO.com sjell pamje nga marshi, i cili tashmë është zhvendosur në sheshin “Nënë Tereza”, në qendër të kryeqytetit.

Marshi protestues foto Kallxo
Marshi protestues për Astrit Deharin – Foto: KALLXO.com

Marshi protestues foto Kallxo 001

Marshi ka përfunduar me homazhet që janë bërë pranë arkivolit të Astrit Deharit, i vendosur para Teatrit Kombëtar.

Në homazhe nuk është parë asnjë përfaqësues i partive të pozitës.

Homazhet 001 Homazhet 003

Paraprakisht, në Fakultetin Filologjik u mbajt një mbledhje përkujtimore ku morën pjesë familjarë, aktivistë e zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje e partive tjera opozitare, miq e dashamirë.

Në ceremoninë e mbajtur për Astrit Deharin para të pranishmëve foli edhe i ati i tij Avni Dehari i cili u shpreh se njerëzit që e larguan fizikisht Astritin nga kjo botë “deshën ta bëjnë në mënyrë të heshtur, por se një ditë drejtësia do të vihet në vend”.

“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm që ata që të bënë të mos jesh më fizikisht në mesin tonë deshën të ta bajnë vdekjen të heshtur. Je i bindur Astrit se drejtësia, liria e plotë dhe Vetëvendosja, ëndërr shekullore e popullit tonë ndër shekuj janë të gjalla, janë të forta dhe do të vazhdojnë. Fli i qetë se një ditë të gjitha këto do të bahen realitet”, tha ai.

Visar Ymeri, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje citoi vargje të poezisë së Migjenit me të cilën tha se Astriti do të përkujtohet përgjithmonë.

“E dashura familje Dehari, baca Avni, nëna Xhemile, motra Albanë, shoqja Artë, unë sot nuk kam se si t’ju ngushëlloj, vetëm se të bashkëndjej me ju, e ta kujtoj me ju Astritin tuajin e tonin”, tha Ymeri.