‘Ngom Fest’-Muzikë nga Kalaja

Kalanë e Prizrenit e cila në vete mban copëza të historisë dhe trashëgimisë sonë, do ta pushtojnë për katër ditë radhazi tingujt e muzikës në kuadër të festivalit “Ngom”.

Festivali “bredhacak” i Prizrenit i cili në fillimet e tij është njohur për zhvendosjen nga një lokacion në tjetrin, këtë vit nga 7-10 korrik ka gjetur “strehë” në kalanë e këtij qyteti.

Pesë skenat e edicionit të parë: skena në Shatërvan, skena në Marash, skena tek ish-parkingu, skena në Kino Bahçe (SHKA) si dhe skena me muzikë klasike në Shkollën e Muzikës “Lorenc Antoni”, u zvogëluan në katër në edicionin e dytë, tri në të tretin dhe të katërtin dhe një në edicionin e pestë.

Mirëpo, edhe pse ky vit do të ketë një lokacion si gjatë vitit të kaluar, lartësia mbidetare e festivalit të sivjetshëm do të jetë shumë më e lartë

“Kemi vendosur që këtë vit të ndryshojmë lokacionin duke u zhvendosur nga poshtë-lart. Besoj që kjo ka me qenë shumë mirë për vetë faktin se kalaja na mundëson një pamje të mrekullueshme të qytetit,” tha Arrita Arzuallxhiu, nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun e “Ngom Fest”-it.

Ministria e kulturës këtë vit ka ndarë 4 mijë euro subvencione për festivalin që vitin e kaluar financimin e pati problem.

NGOMfest varfërohet por nuk dorëzohet

Arrita Arzuallxhiu tha se janë të kënaqur më përkrahjen financiare, edhe pse kjo nuk është e mjaftueshme në krahasim me të ardhurat që ky festival i sjell qytetit.

“Jemi të kënaqur me përkrahjen nga Ministria e Kulturës por edhe nga Komuna e Prizrenit e cila edhe pse nuk na ka përkrahur mjaftueshëm financiarisht na ka ndihmuar shumë rreth festivalit si dhe për sigurimin e lejes që festivali të mbahet në kala,” tha Arzuallxhiu për KALLXO.com.

Nata e parë e festivalit do të jetë me muzikë hip-hop, për të vazhduar natën e dytë me muzikë live të bendeve të ndryshme dhe për ta mbyllur festivalin me muzikë elektronike natën e tretë dhe të katërt.

Përveç muzikës nga kalaja “Ngom Fest”-i do të vazhdojë edhe këtë vit kërkesën e tij që monumentet historike të mbrohen.

“Edhe sivjet e kemi fokusin më tepër mbrojtjen e monumenteve historike dhe forcimin e këtij mesazhi pasi që kjo është shumë e rëndësishme për Prizrenin, e sidomos pas trazirave që ndodhën me rrënimin e disa shtëpive,” tha zëdhënësja Arzuallxhiu.

Ajo deklaroi se këtë vit festivali do ta përçojë mesazhin “Mbrojtje të Monumenteve, jo Degradim të Qytetit”.

Edhe në vitin 2014 “Ngom Fest”-i kishte për qëllim mbrojtjen e trashëgimisë prizrenase dhe ambientit me muzikë.

“NGOM Fest”-Mbrojtje e Ambientit dhe Trashëgimisë me Muzikë

Pikërisht në Prizren nga rrënimi i një objekti të vjetër në Qendrën Historike të këtij qyteti më 6 qershor vdiq fëmija trevjeçar Xheneta Gashi.

http://kallxo.com/faji-jetim-per-vdekjen-e-trevjecares-ne-prizren/

Mysafirët e festivalit gjatë këtyre ditëve do të kenë mundësi që të vendosen në kampin me tenda të festivalit, në hotele si dhe në shtëpi private.

Arzuallxhiu tregoi se për të ndihmuar organizimin e këtij festivali dhe ndërtimin artistik të “qytetit të ri” në kala janë paraqitur shumë vullnetarë, 50 prej tyre janë bërë pjesë e organizatorëve të festivalit.