Tryeza e organizuar nga QKSS rreth nismës për krijimin e Ushtrisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Nga Thaçi Kërkohet të Lobojë për Ushtrinë

Deputetë, ekspertë të fushës së sigurisë dhe ish-komandanti i FSK-së dhanë sot pikëpamjet e tyre se si duhet proceduar me nismën për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Në një tryezë të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), pjesëmarrësit njëzëri deklaruan se Kosova ka nevojë për Ushtri.

Drejtori i QKSS-së, Florian Qehaja, tha që nuk mund të pritet pafundësisht për ndryshimet kushtetuese.

“Nuk duhet te presim në pafundësi për vullnetin e deputetëve të cilët kanë qëndrime të shtetit fqinj. Ne nuk kemi garanci të përjetshme se KFOR-i do të qëndrojë këtu”, tha Qehaja gjatë hapjes së këtij diskutimi.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, kërkoi nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që të lobojë për krijimin e Ushtrisë.

“Presidenti është shef i politikës së jashtme e ai duhet të bisedojë me partnerët strategjikë. Nuk duhet biseduar me atashetë e sigurisë, por duhet punuar me nivele më të larta diplomatike. Ai nuk mund të thotë që kam përfunduar punën time me një copë letër. Ai duhet të lobojë në nivelin diplomatik, sepse ai nuk e ka kryer krejt punën”, tha deputetja Osmani.

Ndërsa deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, njëherazi edhe kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së, tha se ai vet ka provuar disa herë t’i bindë deputetët serbë.

“Lista Serbe tash e 3 vjet kanë thënë që nuk na kanë lutur, nuk na kanë thirrë, e kjo nuk është e vërtetë. Unë me dhjetëra herë kam kontaktuar me Bojan Mitiqin, por s’ka pasur sukses”, tha Haradinaj duke kërkuar nga ndërkombëtarë që të kuptojnë se Ushtria e Kosovës nuk është organizim që rrezikon qytetarët brenda apo jashtë Kosovës.

I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe Ish-komandanti i FSK-së, gjeneral-lejtnant Kadri Kastrati, i cili u ngacmua nga Haradinaj në fillim.

“Mirë se erdhe në klubin e politikës. Mirë ke qenë veç në Ushtri”, i tha Haradinaj Kastratit, i cili së fundi është anëtarësuar në PDK.

E ish-komandanti i FSK-së propozoi që atashetë ushtarakë që veprojnë bashke me stafet diplomatike të lobojnë në institucionet e sigurisë në vendet ku shërbejnë.

“Unë kisha propozuar që atashetë tanë që janë nëpër ambasada, të lobojnë, të tregojnë se cili është qëllimi i krijimit të Ushtrisë”, tha ai.

E deputetja Osmani ka kërkuar nga spektri politik që të bindin ndërkombëtarët se ndryshimet kushtetuese janë të pamundura në këtë mandat.

“Në këtë kohë që ka mbetur, ne duhet t’i bindim ndërkombëtarë që plani A për ndryshime kushtetuese është i pamundur, të paktën jo në këtë mandat, jo me këta deputetë të Listës Serbe dhe se plani B është i duhur”, tha në mes tjerash ajo.

Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, tha se ushtria e Kosovës është dashtë të formohej bashkë me shpalljen e Pavarësisë.

Duke folur për reagimin e partnerëve të Kosovës, Selimi tha se kjo nuk nënkupton mosmbështetje nga ta.

“Reagimi i partnerëve strategjikë nuk nënkupton që ata nuk e mbështesin rritjen e kapaciteteve të FSK-së, sepse janë po të njëjtit që i kanë ngritur këto kapacitet që i kemi tani”, u shpreh deputeti Selimi.

Ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së FSK-së, Ibrahim Shala, tha se ata ndihen të gëzuar nga nisma për krijimin e ushtrisë.

“Ne si Ministri kemi hartuar edhe disa grupe punese për dhënien e opinioneve në lidhje me këtë projektligj. FSK është e gatshme të marrë detyra që jepen nga zinxhiri komandues dhe të institucioneve të Kosovës”, tha zyrtari i Ministrisë së Forcës së Sigurisë.

Javën e kaluar, presidenti Thaçi ia dorëzoi kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, propozimet për ndryshimet në ligjin i cili pritet ta forcojë FSK-në në kompetenca brenda emrit aktual.

http://kallxo.com/thaci-ia-dorezon-veselit-projekt-ligjin-per-fsk-ne/

Pas këtij veprimi të presidentit Thaçi erdhën reagime kundërshtuese nga përkrahësit më të mëdhenj të Kosovës, ShBA dhe NATO.

http://kallxo.com/shba-e-shqetesuar-me-projektligjin-e-ri-per-fsk-ne/

http://kallxo.com/nato-kundershton-idene-e-thacit-per-fsk-ne/

Mirëpo, veprimin e presidentit e përkrahu Qeveria e Kosovës.

Edhe partitë opozitare u shprehën pro iniciativës së presidentit për plotësimin e Ligjit për FSK-në, me ç’rast kësaj force do t’i ndryshohej mandati dhe do t’i rriteshin kompetencat.

http://kallxo.com/opozita-pro-transformimit-te-fsk-se/