Foto: KALLXO.com

Situata në veri, flasin aktivistët serbë

Në Qendrën Mediale në Çagllavicë, është mbajtur debati me temën “Situata në veri të Kosovës pas zgjedhjeve lokale – sfidat dhe zgjidhjet”.

Për situatën në Zveçan dhe Leposaviq kanë folur aktivistë nga këto dy komuna.

Dejan Nedelkoviq, aktivist shoqëror dhe politik nga Zveçani se lëvizja e qytetarëve nuk është e lirë, dhe se nuk po munden t’i kryejnë punët e tyre për shkak të situatës në të cilën ndodhen.

“Fëmijët nuk po shkojnë në shkollë, një numër i madh i këtyre personave nuk po munden të shkojnë në punë, njerëzit vijnë nënshkruhen se kanë ardh në punë, marrëdhëniet janë relaksuar pak ndërmjet KFOR-it dhe qytetarëve dhe shpresoj që të ketë zgjidhje që Njësia Speciale dhe KFOR-i të tërhiqet nga komuna” – tha ai.

Kurse, Nenad Radosavleviq nga Inciativa Qytetare “Narodna pravda” nga Leposaviqi, ka thënë se strukturat e pushtetit dëshirojnë të kthehen në ulëset e tyre dhe të përfitojnë nga të mirat që ia ofron pozita.

“Më vjen keq për gjithë këta njerëz që atje janë të përballur me vështirësi bile mund ta humbin edhe jetën, në këtë mënyrë janë diskriminuar nga pushteti” – tha ai.

Radosavleviq ka folur po ashtu për masat dhe reagimet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës.

Ai pret që bashkësia ndërkombëtare me mekanizmat e tyre të vendosin rend në Prishtinë dhe Beograd, “duke i konsideruar si inert dhe të pandalshëm me numrin e masave që do të marrin ndaj Kosovës”.

“Unë pres që këto masa të cilat SHBA-të i kanë ndërmarrë kundër Qeverisë në Prishtinë, ngadalë do të zgjerohen dhe të japin rezultatin e tyre.”

Ai mendon se zgjedhjet në veri janë domosdoshmëri dhe duhet të ndodhin jo më larg se në shtator të këtij viti.

Kurse, Millia Bishevac, udhëheqës i Iniciativës Qytetare në Zubin Potok ka folur për mospjesëmarrjen në zgjedhjet e 23 prillit.

“Kemi pasur disa zgjedhje ku ne s’kemi dashur të marrim pjesë, sepse kemi konsideruar se nuk ka kushte dhe unë si politikan lokal nuk kam dashur votuesit e mi t’i dërgoj në kontenjerët që janë mbajtur këto zgjedhje”- tha ai.

Sipas tij, bashkësia kombëtare është dashur të reagojë shumë më herët në mënyrë që të mos eskalojë situata më veri.

‘’Gjendja është e tillë që njerëzit janë të frikësuar, nuk e dijnë se çka do të ndodhë, fëmijët nuk po shkojnë në shkollë, gjendja e jetesës është vështirësuar sepse ju nevojiten edhe shumë dokumente në komunë, qoftë për të marrë shërbime mjekësore apo shërbime tjera, kurse sot janë të bllokuara’’ – ka thënë Bishevac.

Bishevac ka vlerësuar se nuk ka pasur incidente të mëdha në Zubin Potok.

‘’Qeveria në Prishtinë duhet ta kuptoj që njerëzit në veri, pavarësisht a në veri a jug, të gjithë jemi banorë dhe duhet të bisedohet me ne, mbi të gjitha me të gjithë përfaqësuesit politikanë jo vetëm me Listën Serbe, sepse ata absolutisht nuk i përfaqësojnë qytetarët’’ – është shprehur Bishevac.

Në anën tjetër, Miodrag Miliqeviq – Drejtor në OJQ Aktiv, ka folur për Mitrovicën e Veriut, në lidhje me udhëheqjen e re të komunës.

Sipas tij, problemi më i madh nuk është se si do funksionojë komuna në Mitrovicën e Veriut.

“Nëse tërhiqet policia, nëse tërhiqen kryetarët e komunave dhe nëse kemi zgjedhje të reja, besoj që shumë shpejt do të kemi qetësim të situatës dhe do të kishim një pluralizëm në veri ku do të përfshiheshin të gjithë nga komunitetet” – ka deklaruar Nedelkoviq.

Kurse, Radosavleviq mendon se zgjedhjet e ardhshme do të fitohen sërish nga Lista Serbe, sepse sipas tij, Lista Serbe e ka pasur edhe mbështetjen e Prishtinës.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, pasi për më shumë se dhjetë ditë, serbë lokalë po protesojnë në afërsi të komunave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë kërkuar edhe mbajtjen urgjente të zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve në këto zgjedhje dhe fillimin e punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Një ndër kërkesat e SHBA-së ka qenë që kryetarët e zgjedhur të mos e ushtrojnë detyrën e kryetarëve në objekte komunale por në ndërtesa alternative dhe që Policia e Kosovës të tërhiqen nga objektet komunale.

Kryeministri i vendit Albin Kurti e ka ripërsëritur se për sa kohë do ketë persona të dhunshëm para objekteve të komunave, policia do vazhdojë të qëndrojë atje.

Në anën tjetër Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i zhvendosë zyret e kryetarëve dhe po ashtu ta tërheqë policinë nga objektet komunale.

Kurse Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, të martën e kaluar e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.