Pamje nga debati i IAP-së. Foto: KALLXO.com.

Avokati i Popullit kërkon miratimin e Projektligjit për skemat pensionale sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Institucioni i Avokatit të Populli (IAP) ka mbajtur debatin “Pensionet kontributpaguese – të drejtat e pensionistëve dhe kontributpaguesit e diskriminuar”, pak ditë pasi Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale, sipas vendimit të dhjetorit të 2022, të Gjykatës Kushtetuese.

Në fund të 2022-ës, Gjykata Kushtetuese mori vendim se duhet të ndryshohet neni 8, pika 2 i Ligjit për Skemat Pensionale, nen që përcaktonte se të gjithë punëtorët që nuk i kanë 15 vite punë para datës 1 janar 1999, nuk e gëzojnë të drejtën për pension kontributdhënës.

Përveç sindikalistëve në debat ishin ftuar edhe ministri i Financave, Hekuran Murati dhe deputetët, Duda Balje, dhe Adnan Rrustemi, por që nuk morën pjesë.

Gjatë këtij debati, Institucioni i Avokatit të Popullit i ka kërkuar Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për Skemat Pensionale. Ndërsa sindikalistët akuzuan qeverinë se qëllimisht për vite duke zbatuar nenin 8 të këtij ligji, diskriminoi punëtorët tatimpagues para viti 1990.

Mospjesëmarrja e ministrit Murati dhe deputetëve, Balje e Rrustemi la pa përgjigje interesimin e pjesëmarrësve rreth miratimit të këtij ligji nga Kuvendi i Kosovës.

Avokati i Popullit, Naim Qela, tha gjatë fjalës së tij se Qeveria e Kosovës duhet ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur skemat pensonale. Ai tha se qeveria duhet ta adresojë edhe çështjen e pensioneve invalidore dhe atyre familjare.

“Është e rëndësishme plotësim-ndryshimi i Ligjit për skemat pensionale të bëhet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke mos lënë hapësira për diskriminime dhe adresimin e saktë të problemit që ballafaqohen pensionistët”- tha ndër të tjera Qela.

Ndërsa, Suzana Gashi, drejtoreshë e Departamentit për Mbrojtje nga Diskriminimi në IAP-së  tha gjatë debatit IAP prej vitesh është duke e diskutuar çështjen e pensioneve të para viteve të 1990.

“Në pajtim me Kushtetutën, Gjykata Kushtetuese e ka urdhëruar Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës që jo më larg se 15 korrik 2023 të miratojë këtë ligj.  Ata janë të detyruar me zbatua dhe ky vendim është marrë edhe me kontributin e Avokatit të Popullit”- tha ajo.

Kurse, Ndue Kalaj, kryetar ish-nëpunësve shtetëror të Kosovës të viteve ’90-ta, është shprehur se dispozita e ligjit aktual për skenat pensionale “janë dispozita poshtëruese,  diskriminues dhe manipuluese.”

“Në dispozitat e nen 8, paragrafi 2, kërkohen kontributet deri më 01. 01.1999, Për cilat kontribute që 24 vjet e që shteti i Kosovës nuk di, kërkohen kontribute në kohën e masakrave. Shteti jonë kërkon kontribute në kohën e okupimit klasik nga një shet tjetër.

Ai tha se është për keqardhje mospjesëmarrja e përfaqësuesve të Qeverisë dhe Kuvendit në këtë takim, të cilët do të duhet të tregonin se në çfarë mase është duke u zbatuar vendimi Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë debatit u shpalosën edhe probleme tjera dhe pyetje të ndryshme lidhur me punëtorët – pensionistët e viteve të 1990-ta.

Mbi 70 për qind e punëtorëve shqiptarë në sektorin publik, në administratë, polici, shëndetësi e institucione arsimore shkencore e kulturore u përzunë me forcë nga puna nga administrata e dhunshme e Serbisë, pas viti 1990.  Që nga atëherë kontributet pensionale të punëtorëve kosovarë, në vlerë mbi 1 miliard euro ende mbahen paligjshëm në Serbi.

Më 5 korrik 2023 Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale, duke iu njohur të drejtën e personave që janë larguar nga puna para vitit 1999, që të marrin pension kontributdhënës.

Me këtë vendim, Qeveria do t’ua njohë kontributin pensional atyre punëtorëve që nuk i kishin 15 vjet përvojë pune dhe atyre që kanë punuar në sistemin e Republikës së Kosovës pas vitit 1990.