Vlerësimi i kandidatëve për banesa sociale | Foto: Komuna e Prishtinës

Në 330 Familje Nisin Vizitat për Banesa Sociale

Sipas një komunikate të lëshuar nga Komuna e Prishtinës ka dalë në terren komisioni që do të vlerësojë ata që kanë aplikuar për përfitimin e banesave sociale.

Në muajt e ardhshëm priten të vizitohen 330 familje nga Komisioni Komunal për Vlerësimin dhe Përzgjedhjen e Familjeve të Mundshme Përfituese nga Programi i Veçantë i Banimit Social.

Komuna e Prishtinës njofton se gjatë vizitës do të bëhet vlerësimi dhe verifikimi i gjendjes së banimit të të gjithë atyre që kanë aplikuar në programin e veçantë për banim social, në këtë mënyrë që drejtpërdrejt nga terreni të konstatohen vërtetësitë e aplikacioneve.

Gjatë procesit të punës në komision, ka pasur vëzhgues nga shoqëria civile për të cilët komunikata e komunës thotë se kanë pasur qasje gjatë tërë procesit.

Aplikimi i familjeve kandidate për banesa sociale në Komunën e Prishtinës nisi në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa këto aplikime filluan të shqyrtohen nga zyrtarët komunalë në dhjetor 2016.

Në vitin 2012 kur Komuna e Prishtinës qeverisej nga Isa Mustafa, Gazeta Jeta në Kosovë shkroi për njërën nga kandidatet për banesa sociale që atëherë nuk u përzgjodh si përfituese e një banese të tillë.

Qe 30 Vjet Pa Shtëpi

Edhe kur Komuna e Ferizajt në vitin 2014 ndau 52 banesa sociale, pati kandidatë që shprehën pakënaqësi, pasi iu refuzua kërkesa për banesë.

http://kallxo.com/pakenaqesi-me-ndarjen-e-banesave-sociale-ne-ferizaj/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri