Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri - Foto: ATDHE MULLA

Ndërtimet Pa Leje Ngjallin Debat të Nxehtë në Pejë

Debat i nxehtë është zhvilluar në Asamblenë Komunale të Pejës rreth raportit për ndërtimet e objekteve banesore për vitet 2015-2016.

Asamblistët e opozitës akuzuan ekzekutivin se kanë lejuar të ndërtohen dhjetëra objekte pa leje.

Naim Sahiti nga AAK-ja tha se sipas raportit të Drejtorisë nga gjithsej 28 objekte banesore sa janë në qytet, 23 janë pa leje.

Ai propozoi që pas votimit nga Asambleja të nxirret një konkluzion për ndërtimet ilegale.

“Na propozojmë sot që me nxjerr një konkluzion këtu prej tri pikave, po i lexoj: 1. Kuvendi i Komunës kërkon nga kryetari që të merr masa disiplinore të menjëhershme ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë leju këto ndërtime pa leje, 2. Kuvendi i Komunës kërkon nga kryetari i Komunës të merr masa dhe të ndalojë menjëherë të gjitha objektet pa leje kudo që janë duke u ndërtuar ende, 3. Kuvendi i Komunës kërkon nga kryetari i Komunës të merr masa të duhura që për një periudhë prej 90 ditëve t’i rrënojë të gjitha objektet që janë lejuar edhe që janë në këtë listë edhe ndërtime tjera kudo që ka”, ishte propozimi i Sahitit në emër të AAK-së.

Sahiti tha se përgjegjës për të gjitha ndërtimet pa leje është edhe kryetari Gazmend Muhaxheri sepse, sipas tij, ai njeh mirë planet rregullative dha ka qenë edhe drejtor i Urbanizmit.

Shqetësime për ndërtimet pa leje kishte edhe Muhamet Haliti. Partia e tij, PDK-ja, është në koalicion qeverisës në Pejë me LDK-në e kryetarit Muhaxheri.

Haliti propozoi që të formohet komision nga anëtarët e Kuvendit që të klasifikohen të gjitha objektet pa leje.

“Le të formohet komisioni nga të gjitha subjektet edhe të bëjmë një raport të përgjithshëm për ndërtimet në komunën e Pejës prej pasluftës e deri ditët e sotme, e mandej bijmë ndonjë vendim me të veçantë”, tha Haliti.

Edhe këshilltarja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mevlyde Idrizi, shprehu shqetësimet e subjektit të saj për ndërtimet ilegale.

Ajo trego edhe për debatet që kishte pasur për këtë çështje me drejtorin e arrestuar të Inspektoratit.

“Unë disa herë kam pasë disa debate me drejtorin. Me vjen keq që sot nuk është prezent me ia thënë. Edhe sa herë i kam thënë se rrugës kah kam shku në shtëpi i kam vërejt, gjithmonë përgjigjja e tij ka qenë pse po më shtini llugave”, tha Idrizi.

Në mungesë të drejtorit të Inspektoratit, i cili gjendet në arrest shtëpiak, kryesuesi i Kuvendit Komunal insistoi që konkluzionet e propozuara nga opozita mos të hidhen në votim përderisa nuk dihet se cilat kanë qenë veprimet e Drejtorisë së Inspektoratit.

Megjithatë, pas insistimit të këshilltarëve të AAK-së propozimi i tyre u hodh në votim, por nuk mori votat e mjaftueshme.

Debat i nxehtë u zhvillua mes kryetarit Muhaxheri dhe Naim Sahitit të AAK-së.

Muhaxheri akuzat ndaj tij dhe arrestimin e drejtorit Demë Dashi i ndërlidhi me fushatë zgjedhore, ndërsa tha se do të tregojë kur të vijë koha diçka kundër kandidatëve nga radhët e AAK-së.

“Naim të pres, ishalla të qesin kandidat për kryetar të komunës, nëse nuk të qesin atë kandidatin që kanë me ta qitë kam mi kallxu diçka. A nëse s’të qesin ty kam me të prit deri edhe 2021 për me të kallxu ty diçka”, i tha Muhaxheri asamblistit të AAK-së.

Ai foli edhe për veprimet që po merren kundër ndërtimeve pa leje.

“Në këtë moment janë duke u rrënuar dy objekte, domethënë Inspektorati është tu vepru, janë tu rrënu dy objekte”, tha ai.

Muajin e kaluar Policia e Kosovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare e kishte arrestuar drejtorin e Inspektoratit në Komunën e Pejës, Demë Dashin.

http://kallxo.com/arrestohet-drejtori-inspeksionit-ne-peje/