Mustafa: Sistemi i Sigurimeve Shëndetësore- Proces i Vështirë

Në interpelancën për përgjegjësinë në lidhje me përgjegjësinë rreth sigurimeve shëndetësore, kryeministri Isa Mustafa e konsideroi të vështirë krijimin e sistemit të këtyre sigurimeve.

“Themelimi i fondit për sigurime shëndetësore shihet si shumë i rëndësishëm. Qeveria e di se ky proces është i vështirë por ka nisur që të zbatojë të gjitha obligimet për një sistem më të mirë,” tha Mustafa.

Ai tregoi edhe pse është shtyrë në korrik mbledhja e premiumeve-shumës së caktuar për blerjen e policave të sigurimit shëndetësor nga organizatat dhe individët.

“Kemi paralajmëru se do të nisë [mbledhja e premiumeve]  por pasi vlerësuam se mund të plotësohen edhe disa parakushte e kemi shtyrë që të jemi sa më të kompletuar. Ne kemi marrë vendim që të shtyhet data e fillimit të mbledhjes së premiumeve me konsultë edhe të partnerëve vendorë e ndërkombëtarë,” tha Mustafa.

Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës kishin paralajmëruar nisjen e mbledhjes së premiumeve që nga 1 janari i vitit 2017.

Mustafa tha se investimet pas përfundimit të projekteve infrastrukturore do të investohet më shumë në shëndetësi e arsim.

“Investimet në shëndetësi dhe në arsim janë investime produktive dhe prandaj në periudhën e ardhshme investimet do të kalojnë nga infrastruktura rrugore në shëndetësi dhe arsim,” tha Mustafa.