Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës. I Foto: KALLXO.com

Mustafa Pranon Dallimet e Mëdha në Paga

Duke e pranuar se ka dallime të mëdha mes pagave të të punësuarve në Kosovë, Isa Mustafa tha se Ligji për Paga bashkë me atë për shërbyesit civilë do të vendosë një nivelizim.

Për dallimet në paga, Mustafa u pyet nga deputeti i “Vetëvendosjes” Faton Topalli.

Deputeti në Kosovën e varfër fiton 400 për qind më shumë se qytetarët. Si do ta arsyetoni këtë para qytetarëve? Cfarë do të bëni?, pyeti Faton Topalli, duke treguar se paga bazë e një deputeti është 1490 euro.

“Çështja si e tillë meriton vëmendje se kemi diferenca të mëdha të pagave dhe këto nuk janë në harmoni me punën e përgjegjësinë. Punët e njëjta nuk kanë shpërblim të njëjtë.  E sa u përket pagave të deputetëve, nuk vendos qeveria për ketë”, tha Mustafa.

Kryeministri më tutje tregoi se  me ligjet për paga dhe për shërbyesit civilë do të bëhet nivelizimi i pagave.

“Është punuar mjaft në ligjin për paga. Edhe harmonizim sa i përket nivelizimit vertikal, nga paga e presidentit, kryeministrit e kryeparlamentarit. Më pas edhe kryeshefat e ndërmarrjeve publike, por atë nuk e kemi fut në këtë ligj ngase duhet të ndërrohet Ligji për Ndërmarrjet Publike”, tha Mustafa.

Sipas Mustafës Ligji për paga dhe për Shërbye Civilë do t’i shkojnë Kuvendit në vjeshtë.

“E kemi tërhequr Ligjin për Paga nga procedura në marrëveshje me Bashkimit Europian ngase jemi marrë vesh të trajtohet bashkë me Ligjin për Shërbyesit Civilë dhe si paketë do ta sjellim në Kuvend para vjeshtës”, tha Mustafa.