Rektorati i Universitetit të Prishtinës. FOTO: Universiteti i Prishtinës/Facebook.

Protestat e punëtorëve teknikë dhe të sigurimit fizik për pagat, deklarohet UP-ja

Universiteti i Prishtinës është deklaruar për KALLXO.com se ka qenë në dijeni për mbajtjen e protestës nga punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizikë, më 11.03.2024, të cilët janë të kontraktuar në objektet e tyre.

Punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik të UP-së u mblodhën para objektit të Rektoratit dhe protestuan më 11.03.2024. Kjo ka ndodhur pas tri javësh sa këta punëtorë i kanë kaluar në grevë, nga data 16.02.2024. Protesta e tyre u mbajt edhe sot më 12.03.2024, para Rektoratit.

Ata po kërkojnë pagë më të lartë pasi paga që marrin, në vlerë 300 euro, sipas tyre, nuk i plotëson nevojat e tyre.

Gjatë protestës, punëtorët teknikë deklaruan se ende nuk e kanë pranuar pagën për muajin shkurt, ndërsa punëtorët e sigurimit fizik thanë se këtë pagë e kanë pranuar të shkurtuar.

Në lidhje me këto deklarime të punëtorëve rreth pagave, sekretari i Universitetit të Prishtinës, Besfort Krasniqi thotë se UP-ja nuk është punëdhënës në raport me personelin e angazhuar për kryerjen e shërbimeve të sigurimit fizik dhe se nuk ekzekuton paga për ta.

Si rezultat i kësaj, ata kanë kërkuar që për këtë çështje të pyetet operatori ekonomik.

“Pagat e këtij personeli nuk kryhen përmes listës së pagave. Përmes listës së pagave, UP si organizatë buxhetore dhe si punëdhënës, e paguan personelin (akademik dhe jo akademik) në marrëdhënie pune. UP, në cilësi të Autoritetit Konktraktues, ekzekuton pagesa sipas faturave mujore për shërbime në llogari të operatorëve ekonomikë, si ofrues të shërbimeve, nga kategoria ekonomike Mallra dhe Shërbime” – ka thënë Krasniqi.

Izet Shala nga kompania “Rojet e Nderit”, e cila është e kontraktuar nga UP për shërbimet e punëtorëve të sigurimit fizik, ka shpjeguar për KALLXO.com se pse u është zbritur punëtorëve shuma prej 60 eurosh nga paga e muajit shkurt.

“Disa punëtorë d.m.th. nja 20, po më doket 22, i kanë marrë në fakt pagat e prera për arsye se Rektorati, UP-ja, mua ma kanë pre faturën për shkak të, e kanë parapa sekretarët, e kanë lëshu raportin negativ gjatë punës se këta sekretarët lëshojnë raporte mujore, e vlerësojnë qysh ka shku puna, d.m.th. nja 7 fakultete e kanë lëshu raportin prej datës 20 d.m.th. deri datën 29 e kanë lëshu raportin negativ gjoja që nuk është kry shërbimi” – ka theksuar Shala.

Ndërsa, punëtorëve të tjerë që nuk kanë qenë pjesë e raporteve negative, Shala ka thënë se u ka dalë paga e plotë.

Kurse, në lidhje me mosekzekutimin e pagave nga kompania e cila është punëdhënëse e punëtorëve teknikë, KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje por nuk ka pranuar ndonjë të tillë.

Përveç protestës së mbajtur nga punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik të UP-së, më 11.03.2024, studentët e Fakultetit Filozofik e kanë bojkotuar mësimin për shkak të higjienës dhe papastërtisë në ambientet e Fakultetit të tyre.

Lidhur me bojkotimin e mësimit të këtyre studentëve, Krasniqi ka thënë se nuk kanë qenë në dijeni.

“Jo, nuk kemi qenë në dijeni” – ka deklaruar Krasniqi.

Gjatë protestës së djeshme, punëtorët deklaruan se UP nuk po pranon t’i takojë dhe të komunikojë me ta.

Në lidhje me këtë, Krasniqi ka njoftuar se ai e ka takuar kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi bashkë me përfaqësues të personelit, në muajin dhjetor të vitit 2023.

Në këtë takim Krasniqi ka thënë se e ka njoftuar Azemin për rritjen e vlerës së parashikuar për të dyja kontratat dhe ngritje të minimumit të lartësisë së pagës bazë.

Sipas Krasniqit, Azemi e ka keqinformuar personelin duke pretenduar se ka marrë një ofertë nga UP.

“Pas kësaj, z. Azemi, ka keqinformuar dhe manipuluar personelin dhe vazhdon ta bëjë këtë, me pretendimin se e ka marr një ofertë dhe është duke dialoguar me UP-në. Por, kjo nuk është ofertë dhe nuk është çështje për dialogim” – ka theksuar Krasniqi.

Ndërkaq, akuzave të zyrtarit të UP-së iu përgjigj kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.

“Nuk e kemi keqinterpretu, sepse këtë pagë që e kanë ofru këta punëtorë në mënyrë unanime e kanë pas në tavolinë dhe i kemi thanë – Rektorati i Universitetit të Prishtinës ka ofru pagë 292 euro, 320 euro bruto, shkresa ka qenë para 250 vetëve, dhe këta në mënyrë unanime nuk e kanë pranu këta” – tha ai,

“Gënjeshtrat dhe rrenat, ky (sekretari i UP-së) është mirë me dalë para punëtorëve më ua spjegu jo nëpër media. A kupton që s’ka pas një takim në raport kryetar sindikate – sekretar, une i thash – O zotni unë kam ardhë me i ça hallet e këtyre punëtorëve, nuk kam ardhë me m’tregu ti mu qysh Ligji i pagave ta ka dëmtu pagën, nuk e di sa e ka pagën, po kjo ka qenë ai shqetësimi i tij, edhe ka thanë – po shkoni në Ministri të Financave” – shtoi Azemi.

UP ndërkaq, ka sqaruar se kontratat aktuale të operatorëve ekonomikë sikurse edhe kohëzgjatja e kontratave të personelit të angazhuar, përfundojnë më 12.3.2024, respektivisht deri më 01.04.2023.

Ai ka njoftuar për vlerat se sa do të rriten pagat për secilin nga punëtorët.

“Roje, 13% apo nga 280.00 në 322.00 euro (pa i llogaritur pagesat shtesë); pastrues, 12.5%, apo nga 280.00 në 320.00 euro; mirëmbajtës, 23.44% apo nga 320.00 në 395.00 euro; kryepunëtor, 42.86% apo nga 350.00 në 500.00 euro). Po ashtu, ka edhe kategori të reja, si: kopshtar, me pagë 350.00 euro; projekt menaxher, me pagë 500.00 euro dhe shef i ndërrimit të rojeve, me pagë 400.00 euro (pa i llogaritur pagesat shtesë)” – ka thënë ai.

Krasniqi ka shtuar se ngritja e minimumit të pagave, do të bëhet me efekt të menjëhershëm pas skadimit të kontratave aktuale, pas datës 12.3.2024, respektivisht datës 01.4.2024.