Ilustrim

Greva e punëtorëve fizikë dhe teknikë vazhdon, UP tregon për rritjet e pagave me tenderët e rinj

Rreth 250 punëtorë fizikë e teknikë të Universitetit të Prishtinës dhe të Qendrës së Studentëve kanë hyrë në grevë më 16.02.2024 dhe janë të vendosur ta vazhdojnë atë, duke kërkuar rritje të pagave.

Këta punëtorë të sektorit privat punojnë përmes kompanive që kontraktohen nga UP për ofrim të shërbimeve.

Kërkesa e tyre është që të marrin së paku 400 euro në muaj, përderisa thonë se aktualisht marrin 250 deri në 300 euro neto.

Universiteti i Prishtinës ka dhënë detaje për KALLXO.com për rritjen e vlerave të kontratave të reja që pritet të nënshkruhen së shpejti, pas skadimit të kontratave aktuale. Rritja e vlerave do të reflektohet edhe në rritje pagash.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, tha në ditën e hyrjes në grevë se para dy ose tre javësh u është ofruar shuma rreth 320 euro, por shtoi se nuk kanë pranuar.

“Kemi dialoguar para dy-tri javësh me sekretarin e rektoratit të UP-së dhe ai ka ofruar një shumë rreth 320 euro të cilën punëtorët nuk e pranojnë dhe greva do të vazhdojë” – kishte thënë ai.

Sekretari i Universitetit të Prishtinës, Besfort Krasniqi, në një përgjigje për KALLXO.com tha se pretendimi i Jusuf Azemit për dialogim të pagës ose ofrim të ndonjë shume nuk qëndron. Ai dha detaje lidhur me kontratat aktuale të UP-së për pastrim dhe sigurim, të cilat skadojnë së shpejti dhe për kontratat e ardhshme.

Sipas Krasniqit, takimi ka qenë spontan dhe i paparalajmëruar.

“Z. Azemin, bashkë me përfaqësues të tjerë sindikalë, e kam pritur në shenjë mirësjelljeje dhe për t’i dhënë sqarime në saje të interesimit të tij, përfshirë rritjen e minimumit të lartësisë së pagës bruto dhe vlerën e parashikuar të kontratës së propozuar, sipas njoftimeve respektive të datës 18.11.2023” – ka thënë Krasniqi për KALLXO.com më 17.02.2024.

Siç tha sekretari, kontratat në fjalë, të lidhura më 10.03.2021 dhe më 31.03.2021 janë 3-vjeçare.

Në kontratat e ardhshme, UP ka rritur vlerat e parashikuara të kontratave për 780 mijë euro, përkatësisht 300 mijë euro për sigurimin fizik të objekteve dhe 480 për pastrim dhe mirëmbajtje.

Mirëpo, për shkak se janë shtuar hapësirat dhe shërbimet e nevojshme, Krasniqi tha se parashihet edhe numër shtesë i punëtorëve e i orëve shtesë të shërbimit, gjë që ndikon në mundësitë e rritjes së pagave.

“Prandaj, edhe këta parametra nuk kanë lënë hapësirë për ngritje më të madhe të lartësisë së minimumit të pagës bruto, pasi kjo do të ndikonte pastaj në rritjen edhe të vlerës së parashikuar të kontratës” – ka thënë ai.

Më tej, ai tregoi se pagat bruto aktuale të nëpunësve dhe ato që parashihen të jenë më kontratat e reja. Pagat e rojeve parashikohet të jenë 322 euro, nga 280 aktualisht, të pastruesve 320 nga 280, e mirëmbajtësve 395 nga 320 dhe e kryepunëtorëve 500 nga 350.

Numri i orëve të shërbimit në kontratën aktuale të sigurimit fizik është 823 mijë e 968 orë, ndërkaq sipas kontratës së propozuar do të jetë 965 mijë e 952 orë.

Numri i nëpunësve për pastrim dhe mirëmbajtje, sipas kontratës aktuale është 161, ndërkaq sipas kontratës së propozuar do të jetë 184.

“Rritja e vlerave të kontratave është refektim i projeksionit të ndarjeve buxhetore të aprovuara Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) për vitet 2024, 2025 dhe 2026, për kategorinë Mallrat dhe Shërbimet, me synimin që të mos cenohet asnjë aktivitet tjetër i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, që mbulohet nga kjo kategori ekonomike” – thuhet në përgjigjen e tij për KALLXO.com.

Në cilësi të autoritetit kontraktues, Krasniqi thotë se UP duke i konsideruar dhe trajtuar këta punëtorë si pjesë të tij, është siguruar që të mos cenohen marrëdhëniet e tyre të punës dhe të respektohen të drejtat e tyre duke i përcaktuar këto në dosje të tenderit.

Në kuadër të tyre, ai ka përmendur  vazhdimin e marrëdhënieve të punës të nëpunësve që kanë qenë të angazhuar paraprakisht, respektimi i minimumit të pagës bruto, kompensimin e kontributeve, pagesën shtesë për punë më të gjatë se orari i punës, për punë në ditët e festave shtetërore dhe për punën e natës.

“UP si Autoritet Kontraktues, do t’i ndërmarrë të gjitha masat, në mënyrë që operatori ekonomik i kontraktuar të vazhdojë me përmbushjen e obligimeve dhe ofrimin e shërbimeve sipas kontratës” – ka përfunduar ai.

Grevistët kanë thënë se paratë që marrin nuk janë të mjaftueshme as për plotësimin e nevojave bazike dhe se nuk do të zbrapsen deri në plotësimin e kërkesës.

Jusuf Azemi tha sot më 20.02.2024 se këta punëtorë do të jenë në grevë nga nesër, më 21.02.2024 deri të enjten, më 22.02.2024.

“Kemi bërë protestë të premten, kemi lënë sot këtë afat për negocim por sipas të gjitha gjasave kanë negocu vetëm me pronarët e kompanive por jo edhe me neve dhe po e realizojmë planin tonë, nesër dhe pasnesër do jemi në grevë pastaj të premten merret vendim, ku do të ndërrohet forma e grevës”- deklaroi Azemi.