Shefi i personelit akuzon menaxhmentin se kundërligjshëm po i privon nga rritja e pagës punëtorët e Bibliotekës Kombëtare

Izet Abdyli, menaxher i personelit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, përmes një postimi në Facebook, më 9 mars 2024, ka deklaruar se menaxhmenti i kësaj biblioteke ka më se pesë muaj (nga tetori i 2023) që është duke refuzuar ta zbatojë vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe konfirmimin zyrtar nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik, për korrigjimin e pagave të punonjësve të Bibliotekës.

Ai ka thënë se me moszbatimin e këtij vendimi, menaxhmenti ka privuar punëtorët e BKK-së, “Pjetër Bogdani” të përfitojnë rritje pagash, siç parashihet me  Ligjin për pagat në sektorin publik.

Abdyli ka shkruar se qysh në tetor të vitit 2023, MPB/DMZP-ja ia ka përcjellë BKK-së, listën me rishikimin e koeficienteve të punëtorëve, listë të cilën, siç thotë ai, menaxhmenti i BKK-së duhet ta përcjellë në thesar për zbatim.

BKK -“Pjetër Bogdani” nuk i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com lidhur me pretendimet e Abdylit, ndërsa kryetari i Këshillit Drejtues të BKK-së ka thënë se kanë kërkuar sqarime për këtë çështje nga menaxhmenti.

“Privimi i punëtorëve nga e drejta ligjore”

Abdyli ka shkruar në Facebook, se 34 punëtorët e BKK-së nuk i kanë marrë pagat siç parashihet me ligj për shkak se menaxhmenti i BKK-së nuk e ka zbatuar vendimin e DMZP të MPB-së pas vendimit për korrigjim të pagave të punonjësve të Bibliotekës.

Ai ka shkruar se disa herë i është drejtuar zyrtarisht drejtorit të BKK-së (ish- drejtorit dhe zëvendësueses) për zbatimin e këtij vendimi, po që nuk e kanë bërë. Ky moszbatim ka shtyrë atë që të dal me reagim publik.

“Duke ndier përgjegjësinë ligjore e profesionale kam kërkuar disa herë nga drejtori Bibliotekës dhe shefi Divizionit të Financave që të ekzekutojnë këtë vendim të ligjshëm të DMZP, duke tërhequr vërejtjen se unë si Menaxher Personeli heq përgjegjësinë ligjore për mosekzekutim të vendimit. Kjo kërkesë e imja nuk është përfillur deri tani. Të njëjtën kërkesë ia kam përsëritur ushtrueses të detyrës të drejtorit që të bëj ekzekutimin e këtij vendimi për muajin mars dhe nuk kam përgjigje zyrtare se do ta ekzekutoi”- ka shkruar ai.

Sipas tij, mosekzekutimi i këtij vendimi ka privuar punëtorët nga e drejta e tyre ligjore sipas Ligjit për pagat në sektorin publik.

“Në shkresën zyrtare të DMZP dërguar në fillim të tetorit vitit kaluar 34 punonjësve të Bibliotekës u janë korrigjuar pagat meqë rast sipas kategorive ka përfitime nga 22 euro në muaj kategoria më e ulët e deri në 168 euro në muaj kategoria më e lartë, që i bie që po të zbatohej ky vendim që pesë muaj( nga tetori) çdo punëtor do të përfitonte nga 120 euro deri në 840 euro”- ka potencuar Avdyli.

Ai ka thënë se asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që një vendim i një organi legjitim e në interes të punëtorëve të mos zbatohet.

Heshtja e drejtorëve

KALLXO.com ka tentuar të marrë edhe një reagim nga Fazli Gajraku, ish- drejtor dhe Bukurie Haliti, zëvendësuese e drejtorit të BKK-së, “Pjetër Bogdani”, lidhur me akuzat e Abdylit, por nuk kanë kthyer përgjigjet deri më momentin e publikimit të artikullit.

As MKRS nuk i është përgjigjur në pyetjet e KALLXO.com, nëse ajo është në dijeni rreth akuzave të Abdylit, për moszbatim të një vendimi qeveritar nga ana e menaxhmentit të BKK-së.

Ndërsa. Bardh Rugova, kryetar i Këshillit Drejtues të BKK-së “Pjetër Bogdani” ka thënë për KALLXO.com se kanë kërkuar zbatimin e vendimit të DMZP-së nga menaxhmenti i BKK-së.

“Ne kemi kërkuar një raport çka është bërë deri tash, pse nuk është kryer dhe kemi kërkuar që të kryhet sa më shpejt”- ka thënë Rugova.

Ndërkaq, Ramush Zeka, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të BKK-së, “Pjetër Bogdani” ka thënë se menaxhmenti i bibliotekës dhe Komisioni për caktimin e koeficienteve asnjëherë të vetme nuk e kanë pa të arsyeshme që të komunikojnë me punëtorët e BKK-së, me gjithë kërkesat e përsëritura nga Shoqata Sindikale.

Ai ka vërejtje edhe në listën e korrigjuar të koeficienteve.

“Po ta shihni listën dhe të krahasosh ka mospërputhje për të njëjtën pozitë. Për shembull, siç mund të shihet edhe në tabela, Udhëheqësi i Divizionit paguhet me koeficient 5.7 kurse Zëvendësuesi i udhëheqësit të Divizionit paguhet me koeficient 7.35”- ka thënë Zeka.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për problemet që kanë përcjell procesin e caktimit të koeficienteve (për pagat) për punëtorët e BKK-së, “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.