Pas raportimit të KALLXO.com, BKK sqarohet lidhur me dyshimet se kundërligjshëm po i privon punëtorët e saj nga rritja e pagës

Menaxhmenti i Bibliotekës Kombëtare të Kosovë, “Pjetër Bogdani” (BKK),  ka reaguar pas publikimit të shkrimit, “Shefi i personelit akuzon menaxhmentin se kundërligjshëm po i privon nga rritja e pagës punëtorët e Bibliotekës Kombëtare” më 18 mars 2024.

Përmes një sqarimi dërguar KALLXO.com, më 19.03.2024, një ditë pas publikimit të artikullit, BKK-ja thotë se e vërteta rreth akuzave të menaxherit të personelit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, se menaxhmenti i kësaj biblioteke po refuzon ta zbatojë vendimin e Ministrisë së Administratës Publike dhe Punëve të Brendshme për korrigjimin e pagave të punonjësve të Bibliotekës, është krejt ndryshe.

Më 18.03.2024, KALLXO.com raportoi se Izet Abdyli, menaxher i personelit në BKK, përmes një postimi në Facebook, më 09.03.2024, ka deklaruar se menaxhmenti i kësaj biblioteke ka më se pesë muaj (nga tetori i 2023) që është duke refuzuar ta zbatojë vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme(MPB) dhe konfirmimin zyrtar nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik (DMZP), për korrigjimin e pagave të punonjësve të Bibliotekës.

KALLXO.com, përmes emailit dërguar më 12.03.2024, por edhe telefonatave, kërkoi nga menaxhmenti i BKK, një reagim lidhur me pretendimet e Abdylit. Por, BKK nuk ktheu përgjigje deri në botimin e artikullit më 18.03.2024.

Në sqarim menaxhmenti i BKK-së, thotë se nuk ka mundur t`i përgjigjet KALLXO.com, për arsye të ngarkesës me punë ditore. “Një prej detyrave të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është edhe informimi publikut për çështje të cilat janë me interes për publikun. Me rastin e shkrimit tuaj, konsiderojmë se po flasim për një çështje e cila nuk është me interes për publikun – po flasim për një çështje të brendshme. Megjithatë, Biblioteka, duke pasur konsideratë ndaj mediumit tuaj, nuk ka mundur të përgjigjet më herët në pyetjet tuaja për arsye të ngarkesës me punët ditore”- thuhet në sqarimin e BKK-së.

Me tej BKK- thotë se për realizimin e pagave të punëtorëve të saj sipas Ligjit për zyrtarët publik ka marra disa masa. Në fillim planifikimin e buxhetit, që sipas sqarimit buxhetin për pagat e ka dyfishuar për vitin 2024.

Por, që ka hasur në vështirësi për të rregulluar statusin e punëtorëve të saj.

“Fillimisht Biblioteka ka propozuar, pra, nuk ka vendosur koeficient për punonjësit, pra, duke u bazuar në praktikat e DMZP-së, duke u bazuar në Formularët Standard, duke u bazuar në hapësirën ligjore. Biblioteka për punonjësit profesional ka propozuar në DMZP që gjatë procesit të ekuivalentimit, punonjësit e Bibliotekës Kombëtare të trajtohen me Shtojcën nr.12* – Krijuesit dhe performuesit e kulturës dhe artit”- thuhet në sqarim, duke vazhduar se për menaxhmentin ky trajtim paraqet pagën meritore për punonjësit BKK-së.

Menaxhmenti thotë se për këtë çështje – trajtimin e bibliotekarëve më këtë Shtojcë, ka realizuar takime nivelesh të ndryshme përfaqësimi për të shpjeguar dhe mbrojtur kërkesat e bibliotekarëve, me MKRS-në dhe DMPZ-në.

“Pasi Biblioteka i ka propozuar DMZP-së që gjatë procesit të ekuivalentimit, punonjësit e Bibliotekës të trajtohen me këtë Shtojcë, DMZP, pas trajtimit të lëndës, e ka kthyer listën e korrigjuar, të cilës i referohet z.Izet Abdyli”- thuhet në sqarim.

Por, BKK thotë se ka vërejtur shumë gabime gjatë analizës së kësaj liste.

“BKK ka vërejtur se ka gabime gjatë procesit të ekuivalentimit, po flasim për gabime shumë të dukshme, të cilat tregojnë se, për ilustrim, një punëtor i Katalogimit është ekuivalentuar më koeficientin 4.9, ndërsa kolegu i tij është ekuivalentuar më koeficientin 5.1; Një udhëheqës i njësisë është ekuivalentuar në koeficientin 5.7 ndërsa kolegu i tij është ekuivalentuar në koeficientin 7.35. Dhe më kryesorja, për menaxhmentin e BKK-së, asnjë punëtor profesional nuk është ekuivalentuar me Shtojcën nr.12*- Krijuesit dhe performuesit e kulturës dhe artit”– thuhet në sqarimin e BKK-së.

“Për këto arsye, menaxhmenti i BKK-së ka formuar komisione për të trajtuar e për të analizuar gabimet që kanë ndodhur gjatë procesit të ekuivalentimit dhe përfundimisht ka vendosur që të paraqesë ankesë në DMZP për këtë proces të ekuivalentimit, me objektivin themelor që të sigurojë pagë meritore për punonjësit e BKK-së, pra, që punonjësit profesional të BKK-së të trajtohen me Shtojcën nr.12* – Krijuesit dhe performuesit e kulturës dhe artit”.

Me këtë rast në reagim thuhet se BKK ka ofruar bazën ligjore të ankimimit të procesit dhe bazën kryesore e ka në Ligjin Nr. 04/L-097 PËR BIBLIOTEKAT, shprehimisht, Bibliotekat janë Institucione kulturore, arsimore dhe informuese që mbledhin, ruajnë, përpunojnë dhe vënë në dispozicion të përdoruesve koleksionet e veta, ofrojnë qasje të lira në informacione në cilatdo forma që janë depozituar.

“Më tutje, menaxhmenti i BKK-së e ekzekuton listën e pranuar nga DMZP. Pra, menaxhmenti ka vepruar në dy drejtime, duke e ankimuar listën dhe duke pritur që të bëhen korrigjimet e nevojshme nga DMZP dhe duke e ekzekutuar listën e pranuar, pas një vlerësimi profesional, se ekzekutimi i kësaj liste nuk paraqet ndonjë komplikim ligjor/administrativ edhe pse është ankimuar kjo listë, meqë kompensimi ndodh në mënyrë retroaktive për të gjitha korrigjimet që janë bërë dhe për të gjitha korrigjimet që do të bëhen në të ardhmen”-thuhet në reagim.

Pra, në momentin që shqyrtohet ankesa e BKK-së në lidhje me procesin e ekuivalentimit, menaxhmenti i BKK-së, në sqarim thuhet se do të reagojë konform situatës që pritet të krijohet.

Gjatë muajve në vijim, thuhet më tej në sqarimin e BKK-së, sipas planifikimit të bërë gjatë vitit 2023, BKK do të angazhojë ekspertizë të jashtme ligjore për të trajtuar e adresuar të gjitha gabimet që kanë ndodhur ndër vite, që sigurisht janë grumbulluar.

“Natyrisht, askush nuk do të mundet t’i ikë përgjegjësisë për veprim ose mosveprim në momentin e caktuar. Edhe ne si menaxhment po bëjmë përpjekjet maksimale që objektivin për pagë meritore ta trajtojmë duke ofruar bazën ligjore dhe duke mos krijuar konfuzion te askush”- thuhet në sqarimin BKK-së.

Për fund, menaxhmenti i BKK-së, mohon, siç thuhet në sqarim çfarëdo pretendimi për moszbatime të vendimeve, për veprime të kundërligjshme, e po ashtu për privim nga rritja e pagës për punëtorët e Bibliotekës Kombëtare.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për problemet që kanë përcjell procesin e caktimit të koeficienteve (për pagat) për punëtorët e BKK-së, “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.