Mustafa pas takimit me Thaçin: ShBA-ja do të marrë masa serioze nëse nuk hiqet taksa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa është deklaruar pas takimit të djeshëm që e ka pasur me presidentin e vendit Hashim Thaçi.

Mustafa ka thënë që presidenti e ka paralajmëruar për masat që delegacioni i lartë i ShBA-së do t’i marrë nëse nuk hiqet taksa.

“Mbrëmë e takova presidentin Thaçi në shtëpinë time. Kërkoi të më informoj, si kryetarin e partisë më të madhe politike, për kërkesat por edhe paralajmërimet për masa, shumë serioze, ndaj Kosovës, të deklaruara nga delegacioni i lartë i ShBA-së”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Mirëpo në këtë takim Mustafa ka kërkuar nga presidenti që të heq dorë nga ideja e tij për korrigjim të kufirit pasi që sipas tij kjo qon në rihapje të shtetësisë.

“Ia shpreha brengosjen time dhe të LDK-së për situatën në të cilën koalicioni qeverisës e ka sjellë vendin. Kërkova nga Presidenti që të heq dorë nga orientimi i tij dhe diskursi politik për korrigjim të kufijve, në mënyrë që të krijohet një ambient normal për dialog dhe të evitohet frika nga dialogu. Se LDK nuk do të pajtohet ne asnjë mënyrë që të dialogohet për territorin, sepse kjo çon në rihapje të shtetësisë” ka thënë ai.

Tutje Mustafa i ka thënë presidentit Thaçi se është përgjegjësi e koalicionit qeverisës për ta nxjerrë vendin nga kjo situatë.

“Po ashtu, theksova se është përgjegjësi e koalicionit qeverisës që të gjej zgjidhje, në mënyrë që të ruhet partneriteti me ShBA-në, si aleatin tonë strategjik. Ia shpreha qëndrimet e LDK-së për dialogun dhe nevojën që para dialogut të shkohet në zgjedhje, për të siguruar legjitimitetin”, ka thënë ai.

Tutje Mustafa ka përmendur edhe kritikat që i kanë marrë në opinion publik për këtë takim duke theksuar se kur është në pyetje interesi shtetëror LDK-ja është e hapur për takime.

“Kam vërejtur se ka pasur spekulime si dhe akuza për këtë takim; disa budallenjë e kanë cilësuar edhe si tradhti. Të tillët janë injorantë e zjarrëvënës. Kur është në pyetje interesi i shtetit dhe partneriteti me ShBA-në do të bisedoj dhe do të takohem me të gjithë, sepse i besoj programit dhe frymës së LDK-së. LDK nuk është parti diskomunikuese, nuk frikësohemi nga takimet, sepse u qëndrojmë besnik zotimeve tona politike. Ditët e kaluara kam komunikuar edhe me kryeministrin Haradinaj dhe me zv.kryeministrin Limaj. Më herët edhe me z. Kurti. Të gjithë ne kemi përgjegjësi për këtë vend, si pozitë dhe si opozitë”, ka theksuar Mustafa.

https://kallxo.com/enigmat-e-takimit-te-mbremshem-thaci-mustafa/