Mustafa Fton Opozitën në Dialog, Thaçi Zbut Fjalët

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i ka bërë ftesë opozitës që të hyjë në dialog me qeverinë brenda institucioneve dhe të heqë dorë nga të kërkuarit e zgjidhjes së problemeve përmes rrugëve.

Në mbledhjen e qeverisë të mbajtur një ditë pas protestës së opozitës, kreu i qeverisë tha se qeveria dhe opozita duhet të zhvillojnë “debat demokratik”

“Ne jemi në gjendje që të japim argumente për çdo shqetësim dhe kërkesë të çdo qytetari, edhe të atyre që ishin dje në protestë dhe nuk aplikuan dhunë, dhe unë përgëzoj të gjithë ata që kanë qenë që në mënyrë të dinjitetshme e kanë përfunduar protestën, por po ashtu kërkoj prej krerëve të opozitës që ata të mos veprojnë edhe më tutje në këtë formë, por të kthehen në Kuvend dhe që në Kuvend t’i zgjidhim të gjitha çështjet”, tha Mustafa.

Ai tha se çdo tentim për ta bllokuar punën e Kuvendit do ta ngadalësojë edhe më shumë proceset në Kosovë dhe do t’i dëmtojë qytetarët  e vendin, por edhe relacionet me vendet e Bashkimit Evropian dhe sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke folur për qeverinë që drejton ai, Mustafa tha se koalicioni qeveritar ka bërë një “punë të shkëlqyeshme”.

“Asnjë prej anëtarëve të koalicionit nuk ka  imponuar kërkesa të veçanta, as interesa të veçanta në këtë Qeveri, përfshirë edhe komunitetet jo shumicë që janë këto. Dhe unë vlerësoj se këto raporte dhe këto marrëdhënie do t’i kultivojmë edhe më tutje, do të punojmë në interes të Kosovës, në interes të zhvillimit ekonomik, dhe në interes të prosperitetit tonë, që është në interes i çdo qytetari të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

Nga ana e tij, Zëvendës Kryeministri Hashim Thaçi i cili dje përdori një fjalor të ashpër ndaj protestuesve që nuk kishin sulmuar qeverinë, sot u duk më i balancuar në deklaratë.

Ai tha se”ishte i mirëseardhur” vendimi i njerëzve që morën pjesë në protestën e opozitës për të hequr dorë nga përdorimi i dhunës apo, siç u shpreh, të mos i përgjigjen thirrjeve të eprorëve opozitarë për protestën e organizuar në Prishtinë për përdorimin e dhunës.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se dhuna nuk çon askund, përkundrazi dialogu është zgjidhje e vetme që duhet të ndodhë, qoftë në Zyrën e Presidentes, qoftë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.

Dje ai kishte deklaruar se protestuesit duke mos guxuar ta sulmojnë ndërtesën e qeverisë “ikën me bisht nën shalë, si qyqarë”.

“Ftesa jonë është që të ndodhë dialogu dhe përmes këtij dialogu ndërinstitucional, ndërpolitik, të ecim përpara në realizimin e objektivave tona madhore edhe zhvillimore edhe euroatlantike”, tha Thaçi.

[interaction id=”56c5a97fb6c51fb652e93b47″]