Nga një seancë e gjykimit për tenderin e KEK-ut | Foto: KALLXO.com

Mosmarrëveshje rreth Dëshmitarëve në Gjykimin për Tenderin

Prokurori tha se është përgatitur për ta marrë në pyetje një dëshmitar, ndërsa mbrojtja bëri të ditur se për sot është përgatitur për dy dëshmitarë tjerë.

Pas kësaj mosmarrëveshjeje, prokurori kërkoi që të shtyhet seanca, por trupi gjykues vendosi që sot të dëshmojë dhe të merret në pyetje dëshmitari për të cilin ishte përgatitur prokurori.

Kështu, dëshminë e tij e nisi Imer Dragusha, i propozuar nga prokurori.

Dragusha është ekonomist në Korporatën Energjetike të Kosovës, ndërsa tha se në lidhje em tenderin e kësaj korporate për sigurimin fizik të objekteve të saj, ka dhënë dëshmi në polici.

Dragusha më tutje tregoi se në KEK në fushën prokurimit punon që nga viti 1999.

Ai bëri të ditur se në kohën për të cilën akuzohen 7 personat, në vitin 2011-2012 në KEK mbante pozitën e menaxherit për përkrahjen e prokurimit.

Dragusha tha se në vitet 2011-2012 drejtor i prokurimit në KEK ishte Driton Pruthi, njëri nga të akuzuarit.

Dëshmitari tha se ka punuar në dosjen e tenderit për sigurimin e objekteve të KEK-ut, i emëruar pikërisht nga Pruthi. Tha se udhëzimet nga drejtori i akuzuar i prokurimit i ka marrë me shkrim.

“Kriter për dhënien e tenderit ka qenë çmimi ekonomikisht më i favorshëm,” tha Imer Dragusha.

Ai tregoi se e ka përgatitur njoftimin për draft-kontratën në këtë tender.

Dragusha foli edhe për deklaratën që e kanë nënshkruar punëtorët e sigurimit në lidhje me atë se a janë të gatshëm të punojnë në KEK.

“Në dosje të tenderit nuk është kërkuar që operatorët ekonomikë ta sigurojnë deklaratën e ekskluzivitetit nga punëtorët,” tha Dragusha.

Për këtë deklaratë janë pyetur deri tash thuajse të gjithë dëshmitarët.

Sigurimin e objekteve të KEK-ut dëshmitari e vlerësoi një gjë shumë të rëndësishme.

“Sigurimi i KEK-ut është me rëndësi, sepse objektet e KEK-ut janë strategjike dhe duhet të kenë mbrojtje të pandërprerë,” tha Dragusha.

Për këtë tender në vlerën e 6 milionë eurove janë të akuzuar shtatë persona, mes tyre drejtori ekzekutiv i KEK-ut Arben Gjukaj, kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku dhe ish-kreu i OShP-së Hysni Hoxha.

Në këtë rast gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim, ish- drejtori i prokurimit, Driton Pruthi; drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj; ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Azem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim.

Hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.