MKRS mban dëgjim publik për strategjinë për rininë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka mbajtur sot një dëgjim publik lidhur me draftin e Strategjisë së Rinisë 2019-2023.

Strategjia për Rininë 2019 – 2023, sipas MKRS-së përfshinë një strategji gjithëpërfshirëse për të rinjtë, përmes së cilës synohet që të nxitet bashkëpunimin ndërmjet organizatave rinore veprimtaria e të cilave lidhet me rininë, si dhe ndërmjet organizmave qendrorë dhe atyre komunalë për të fuqizuar politikat dhe programet rinore.

Hartimi i kësaj strategjie po shihet si mjaft me rëndësi përmirësimin e situatës së të rinjve të grup-moshave 15 – 24 vjeç, ku parashihet edhe përfshirja e palëve tjera të interesit si nga sektori qeveritar ashtu edhe nga ai joqeveritar.

Duke folur me këtë rast, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi ka pohuar ndër të tjerash se kjo politikë rinore fillon me përcaktim të hollësishëm të situatës së rinisë kosovare që nga prezantimi i qëndrimit të të rinjve në thirrjen për të bërë ndryshime, duke përfshirë rritjen e pjesëmarrjes në vendimmarrje dhe në fushat tjera me interes për rininë.

Ministri Gashi ka thënë se strategjia është përcaktuar në tri objektiva dhe ka të paraparë edhe planin e veprimit i cili është i planifikuar me buxhetin e vitit 2019 dhe i cili është lehtë i realizueshëm: Mobilizimi i rinisë për pjesëmarrje, përfaqësim dhe qytetari aktive, ofrimi i shkathtësive dhe përgatitja e të rinjve për tregun e punës dhe mjedis i shëndetshëm dhe i sigurt për të rinjtë.

“Temat që i përfshin strategjia kanë të inkorporuar përfshirjen sociale si qasje e përgjithshme që do të merret parasysh gjatë implementimit të aktiviteteve të planifikuara”, ka pohuar ndër të tjerash Gashi.