Pamja ballore e TKK-së pas rinovimit. Foto: MKRS.
Shtatë milionë euro për rinovimin e objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës
Shtatë milionë euro janë ndarë nga Ministra e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për rinovimin e objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK).
Gati dy vjet pas mbylljes, MKRS ka bërë të ditur se është shpallur procedura për kontraktimin e operatorit ekonomik për realizimin e punimeve në TKK.
“Vlera që kemi ndarë për këtë ndërhyrje është mbi shtatë milionë euro. Ndërsa në këtë projekt parashihet rinovimi i tërësishëm si dhe do të bëhet shtim i hapësirave të reja, duke krijuar kushte më të mira për aktorët, stafin e publikun. Për hartimin e projektit janë angazhuar gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës dhe profesionistë të fushës së konservimit dhe restaurimit, ndërsa projekti zbatues ka marr edhe pëlqimin përfundimtar nga Komisioni i IKMM-së_ thuhet në njoftimin e MKRS-së në Facebook.
Njoftimi për rinovimin e objektit të TKK-së, është shpallur në e-prokurorim në një procedurë të përbashkët tenderuese me rinovimin e objektit të Muzeut Kombëtar, në vlerë prej 10 milionëve. Sipas njoftimit, 7 milionë janë për objektin e TKK-së, ndërsa tre për atë të Muzeut Kombëtar. Në njoftim janë dhënë edhe specifikat dhe kushtet tjera për përzgjedhjen e punëkryesit.
Ndërkaq, në një prononcim të mëhershëm për KALLXO.com, më 27.03.2024, ministri Çeku ka thënë se buxheti për restaurimin e objektit të TKK-së, është siguruar.
“Financiarisht ne kemi ndarë një buxheti jo vetëm se është i mjaftueshëm, por pak më shumë se aq, për të qenë të sigurt varësisht nga para masat që do të na sjellim profesionistët. Dhe, sipas informatave të fundit kjo konfirmohet javën e ardhshme kur të përmbyllet edhe çështja e buxhetit. Jemi brenda kornizës buxhetore që e kemi ndarë për teatrin”- ka thënë ai, por pa e cekur shumën financiare.
Sipas Ligjit për buxhetin, për këtë vit e deri më 2026, MKRS ka paraparë të ndajë 5.3 milionë euro për këtë projekt, por në të njëjtin dokument si vlerë të totale të projektit ka llogaritur mbi 10-milionë euro.
Projekti ideor
Projekti ideor për restaurimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës është bërë nga një grup ekspertësh dhe profesorësh të disa fakulteteve të Universitetit të Prishtinës, në bazë të një memorandumi mes MKRS dhe UP-së të nënshkruar në qershor 2021 dhe aneks memorandumit të prillit të vitit 2023, në mes ministrisë dhe katër fakulteteve të UP -së: Fakultetit të Arkitekturës, Fakultetet të Inxhinierisë së Ndërtimit, Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike (FA, FIN, FIEK dhe FIM). Kjo është arritur me qëllim të ofrimit të mbështetjes së nevojshme profesionale lidhur me procesin e hartimit të planifikimit të ndërhyrjeve konservuese dhe hartimit të planit të konservimit/restaurimit të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, përmes qasjes multidisiplinare.
“Ky aneks marrëveshje detyron njësitë akademike emërimin dhe delegimin e stafit akademik të rregullt ekspert dhe njohës të fushave përkatëse duke krijuar grupe pune sipas kërkesës së specifikuar nga MKRS-ja për qëllimin e realizimit të pikave të specifikuara nga marrëveshja”- thuhet në një përgjigje të më hershme të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe atij të Arkitekturës, për KALLXO.com, por pa dhënë hollësi rreth projektit.
Objekti i TKK-së pas rinovimit
Sipas njoftimit të MKRS-së, objekti i TKK-së do të rinovohet tërësisht.
Kushtrim Sheremeti, drejtor i TKK-së, ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se projekti ideor për rinovimin e TKK-së është hartuar në një bashkëpunim të ngushtë mes menaxhmenti të TKK-së dhe grupit punues të UP-së.
Sipas Sheremetit, pas rinovimit objekti do të jetë më modern dhe me hapësira më të mëdha dhe të përshtatshme për TKK-së.
“Jam i bindur se është bërë një punë e mirë, ku është bërë e mundshme që 100 për qind të hapësirave të objektit të jenë të shfrytëzueshme, do të jetë një objekt modern më tekologji po ashtu moderne”- tha ai.
Po sipas tij, objekti do të ketë një sallë të skenës së vogël me gardëroba të veçanta, një hapësirë tjerë për prova të leximit e aktrimit, por edhe një ‘Green Room’ dhe dy apartamente në nën kulm.
“Përveç tjerash, aq sa është e lejueshme për një objekt të trashëgimisë kulturore, objektit (në nën kulm) do t’i shtohet një ‘Green Room’ (dhomë e gjelbër) dedikuar ekskluzivisht për aktorët dhe punëtorët e TKK-së, do të jetë një hapësirë e cila do të shfrytëzohet për prova lexuese, konferenca debate e diskutime, por edhe gjithë që mund të kthehet në një skenë të përbashkët për realizimin e mini-shfaqjeve, apo mbrëmjeve artistike. Po ashtu brenda kësaj hapësire, do të shtohet edhe dy apartament moderne”- ka thënë Sheremeti.
Historia e renovimit të TKK-së
Që nga paslufta objekti i TKK-së është rinovuar disa herë. Për herë të parë është rinovuar në vitin 2000, pastaj në vitin, 2004, 2007, 2010 dhe në vitin 2015. Një renovim në nyjat sanitare, kanalizim dhe rrjeti elektrik ishte bërë në 2021. Në viti 2022, objekti i TKK-së u mbyll për çdo veprimtari nga MKRS, pas një vlerësimi të bërë nga ekspertët e UP-së. Nga shtatori 2022, TKK u zhvendos në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.