Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, Foto: KALLXO.com
Sindikata e Policisë e shkarkoi, Imer Zeqiri thotë se nuk u njoftua për takimin - E quan 'synim për puç'
Imer Zeqiri, i shkarkuar nga pozita e kryetarit të Sindikatës së Policisë së Kosovës thotë se për takimin e Kuvendit të Përgjithshëm në të cilin u vendos që ai të shkarkohet, u njoftua nga mediat.
Ai thotë se qëllimisht nuk u njoftua për këtë takim për t’iu pamundësuar pjesëmarrja.
Këtë veprim ai e quan se është në kundërshtim me Statutin dhe parimet etike.
“Më vjen keq që Sindikata për të cilën kam bërë punë me shumë përkushtim dhe angazhim për të avancuar pozitën, mirëqenien dhe të drejtat e të gjithë pjesëtarëve të policisë, është kthyer në një mekanizëm të individëve për të realizuar interesa individuale, e që do të dëshmohet ndërkohë”- shkruan mes tjerash Zeqiri.
Publikisht, Zeqiri pyet se “Si mund të ketë shkarkim pa u dhënë arsyet dhe pa u bërë ato publike?”, duke thënë se aryset e shkarkimit nuk janë përmendur në komunikatën për shkarkimin e tij.
“Sa i përket procesit ndaj meje dhe për të cilin jeni të njoftuar, nuk ka një vendim përfundimtar. Parimi bazë i prezumimit të pafajësisë është hedhur poshtë sot nga ata që me aq zell kanë marrë vendim të qëllimshëm nën pretekstin e shkeljes në mënyrë të heshtur të këtij parimi”, shkruan tutje ai.
“Vetëgjyqësi” e quan Zeqiri votimin e 60 delegatëve për shkarkimin e tij.
Tutje ai shton se po të ishte prezent do të pranonte çfarëdolloj vendimi që do të merrte Kuvendi. “Por, jo kështu pas shpine”- shton ai.
Ai thotë se takimi është thirrur në kundërshtim me statutin dhe vendimet janë të pazbatueshme.
Ndër të tjera, veprimin e datës 19.05.2024 e quajti synim për puç, e që sipas tij janë të përgatitura nga individë në Sindikatë dhe rreth saj.
Zeqiri tutje thotë se prej kur ai është në krye të sindikatës, arritjet janë evidente dhe se ndihet krenar me punën dhe angazhimin e tij.
Sindikata e Policisë voton shkarkimin e kryetarit Imer Zeqiri
Sindikata e Policisë sot më datë 19.05.2024 ka mbajtur mbledhjen me të vetmën pikë të rendit të ditës – votimin e shkarkimit të kryetarit të SPK-së Imer Zeqiri.
Sipas njoftimit, në këtë kuvend të pranishëm ishin 60 delegatë nga gjithsej 73 delegatë dhe në mënyrë unanime me vota të hapura të gjithë votuan PRO shkarkimit të kryetarit të Sindikatës së Policisë së Kosovës Imer Zeqiri.
“Kuvendi i Përgjithshëm i SPK-së i siguron të gjithë anëtarët e Sindikatës së Policisë së Kosovës se kjo Sindikatë do të vazhdoj punën pa pengesa deri në Kuvendin e ardhshëm duke mbrojtur të drejtat e çdo punonjësi të Policisë së Kosovës, ngritjen e mirëqenies dhe kushteve të punës” – thuhet në komunikatë.
KALLXO.com gjatë ditës pati provuar që të marrë edhe një prononcim nga Imer Zeqiri, por ai nuk ka qenë i qasshëm.
Sindikata e Policisë voton shkarkimin e kryetarit Imer Zeqiri