Ilustrim Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Policia është duke hetuar vandalizimin e objektit fetar

Një rast i vandalizimit të një objekti fetar në Pejë është paraqitur si vepër e shqiptarëve nga mediat në gjuhën serbe, edhe pse Prokuroria e Policia e Kosovës ende nuk kanë arritur të identifikojnë të dyshuarit.

Policia e Kosovës kishte njoftuar se kanë pranuar një ankesë se një objekt fetar në Pejë gjatë datës 14.05.2024 është vandalizuar. I gjithë rasti është iniciuar si “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” 

Për këtë rast media në gjuhën serbe “Banjaluka-24.com” (Arkivi) kanë raportuar se vepra penale është kryer nga shqiptarët, ani pse organet e drejtësisë dhe forcat e rendit ende nuk e kanë të ditur se nga kush u shkruan grafitet. 

“Akt i turpshëm i shqiptarëve! “Allahu Ekber” në faltoren ortodokse në Kosovë” – thuhet në titullin e lajmit të shpërndarë. 

KALLXO.com ka kontaktuar me Policinë e Kosovës dhe me Prokurorinë Themelore në Pejë për të parë nëse është e ditur se nga kush u krye vepra penale. 

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi tha se ende nuk është bërë identifikimi i personit apo personave të dyshuar e se procedurat hetimore janë duke vazhduar tutje. 

Ai shtoi se pa u bërë identifikimi i të dyshuarve nuk mund të dihet se cilit komunitet i takojnë. 

Një përgjigje për KALLXO.com dha edhe zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikci. 

“Nuk ka të dyshuar ende, përveç që po punohet në identifikimin e të dyshuarit apo dyshuarve” – tha zëdhënësi teksa shpjegoi se nuk mund të paragjykohet komuniteti i të dyshuarit/ve derisa nuk dihet ende identiteti i tyre.