Denoncimi i fajdesë  Grafika: KALLXO.com

Hulumtimi i 'Kallxo Përnime' - Muharremi: Vettingu në Polici, shumë i nevojshëm

Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve europiane, ka reaguar pas hulumtimit të emisionit “Kallxo Përnime” – “Denoncimi i fajdesë”, i cili shfaq pretendimet për përfshirjen e një zyrtari policor në fajde.

Muharremi ka shkruar në Facebook, se një vetting në Polici dhe organet e sigurisë është shumë i nevojshëm.

Ai thotë se nuk duhet paragjykuar rezultati final i hetimeve për këto lloj rastesh, por se dyshimet mbi një pjesëtar të Policisë, lënë pasoja të mëdha dhe afatgjate.

“Menaxhmenti i Policisë duhet me qenë shumë rigoroz dhe proaktiv kur janë në pyetje raste të tilla, përfshi kur bëhet fjalë rreth besimit të qytetarëve në këtë institucion”, shkruan mes tjerash Muharremi.

Në edicionin e së dielës, Kallxo Përnime u transmetua rrëfimi ekskluziv të familjes Brdakiç në Pejë.

Dëshmi se prona 1 milionëshe e familjes u mor nga polici, Flamur Rexha.

Naser Brdakiç pretendon se mori para me fajde nga zyrtari policor, Flamur Rexhaj.

Ai ka vendosur të flasë për fajdenë ekskluzivisht për “Kallxo Përnime”, vetëm pasi gjykata vendosi që t’i largojë nga shtëpia me anë të përmbarimit.

Brdakiç thotë se nga Kosova ka ikur para 10 viteve, pasi nuk ka mundur t’i përballoje problemet që i kanë ndodhur pasi ishte zhytur në fajde.

“Në Amerikë jam që gati 10 vite, kam ardhur këtu se më ka ndodhur shumë sende te këqija edhe kam pas probleme edhe kam vendos me ardhë ne Amerikë. Në Kosovë më ka ndodhë që kam marrë pare me fajde edhe me kanë dalë 100 probleme me ato fajde, paret i kam marrë prej Flamur Rexhës, i cili është polic në Pejë, ai u kanë shumë herë i suspenduar por u kthy prapë në Polici. Jo nuk është suspenduar për rastin e familjes sime, po për tjera sende”- thotë Brdakiç.

Brdakiç tregon edhe sa para ka marrë me fajde nga zyrtari policor dhe tregon për kamatat që ia ka paguar atij.

“Unë prej Flamur Rexhajt i kam marrë paret dhe e kam pasë kamatën 10% mujore sepse e kam pasë një objekt në Pejë dhe i kam dhanë sende veresi me pritje edhe kam mbetë pa pare t’u jep veresi dhe kam mendu që me vazhdu biznesin dhe kam marrë dy herë kah 40 mijë euro prej Flamur Rexhës me kamatë 10%. Këto pare si kam kthyer, kam dhënë kamatën çdo muaj dhe kur jam vonuar u dashtë edhe do pare me i shtuar. I kam dhanë kah 8 mijë euro mujore dhe kur jam vonuar dy, tri ditë, pesë ditë u dashtë me i shtu edhe 700 deri 1 mijë euro”- thekson ai.

Duke treguar edhe momentin se çka kishte ndodhur kur nuk kishte mundur t’i pagonte paratë, Brdakiç pretendon se nënshkrimi që shtëpia të hyjë në hipotekë për këtë borxh ishte dhënë nën presion.

“Kur nuk munda me i pagu këto parë kemi pas presion të madh nga ai edhe ka shku te shtëpia ime me disa persona dhe ma ka marrë shoqen dhe e ka dërguar në gjykatë me i nënshkruar veç ato letrat që i ka përgatitur ai për me nënshkruar objektin tonë në emrin e tij”- potencon Brdakiç.

Brdakiç pretendon se u rrah e u keqtrajtua pasi vendosi që rastin ta lajmërojë në Policinë e Kosovës. Ai pretendon se edhe pajisjet e hetimit të policisë iu kishin hequr nga trupi.

Emisioni “Denoncimi i fajdeve”: