Miratohet Pas Polemikave Projektligji për Akademinë e Shkencave

Komisioni për Arsim miratoi mes mospajtimeve dhe vërejtjeve Projektligjin për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Kryetari i komisionit, Nait Hasani tregoi se AShAK-ut i është ndarë buxhet prej 2 milionë eurove.

Ndërkaq, përkundër disa pakënaqësive të anëtarit të këtij komisioni, Sail Morinës komisioni me tri vota për dhe dy kundër i dha dritën e gjelbër këtij projektligji për në Kryesi të Kuvendit që pastaj kjo e fundit të vendosë se në kur të diskutohet në seancë plenare.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Morina tha se dy nene të këtij projektligji nuk janë votuar nga ky komision, por janë shtuar në komisione tjera të përhershme.

“Vërejtjet e mija personale i kam te dy nenet të cilat ne nuk i kemi diskutuar këtu. Këto dy nene janë futur pa pëlqimin e komisionit, sikur ne këtu t’i kishim dhënë miratimin si komision kishte qenë në rregull dhe tash të dy nenet kanë shkuar nëpër komisione të përhershme dhe e kanë marrë miratimin,” tha Morina.

Sipas Morinës neni që trajton moshën  e anëtarëve të akademisë dhe neni që përcakton se Akademia e Shkencave duhet t’i  raportojë Kuvendit të Kosovës janë përfshirë në projektligj duke shkelur Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Ndërkaq, Bekim Haxhiu nga PDK-ja mbeti me shpresë se akademia do të merret vetëm me promovim të shkencës dhe në të të angazhohen gjenerata të reja.

“Uroj që Akademia e Shkencave të Kosovës të jetë sa më larg zhvillimeve politike, e sa më afër zhvillimit të shkencës”, shtoi Haxhiu.

Shpejtim Bulliqi nga LDK-ja përmendi vizitën e djeshme të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli  që i bëri Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK).

“Unë dje e dëgjova me vëmendje Kryetarin e Kuvendit që tha që qysh të doni ju keni me bë ligjin kështu që në qoftë se kryetari i Kuvendit po e bëka ligjin, le ta vazhdojë këtë çështje, nuk ka problem,” përfundoi ai.