ASHAK-ku të hënë hapet për vizitorët

Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës (ASHAK) ka bërë të ditur përmes një njoftimi se të hënën e ardhshme, më 18.03.2024 do të nisë “Java e arkivit të hapur”.

Sipas njoftimit, ASHAK-u do të hapë dyert për vizitorët e ndryshëm.

Gjatë kësaj jave vizitorët do të mund të shohin nga afër punën që bëhet për ruajtjen dhe mundësitë e shfrytëzimit të materialeve arkivore.

“Gjatë ‘Javës së arkivit të hapur”, ASHAK do të hapë dyert për publikun, me ç ‘rast të interesuarit kanë mundësinë të shohin për së afërmi punën dhe aktivitetet që bëhen në mjediset e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, me qëllim të ruajtjes, mbrojtjes, prezantimit dhe përgatitjes për shfrytëzim të trashëgimisë së shkruar që gjendet në ASHAK”- thuhet në njoftim.

Ambientet që mund të vizitohen, gjatë ‘Javës së arkivit të hapur, janë: Salla e leximit; Njësia e rregullimit dhe përpunimit të lëndës arkivore; Njësia e mikrofilmimit dhe digjitalizimit; Njësia e restaurimit/konservimit; Depo e ASHAK-së dhe Biblioteka.

Vizitat në kudër të “Javës së arkivit të hapur” mund të bëhen nga 09:00 deri në orën 15:00, nga 18 deri më  22.03.2024.