Tryeza letrare për Ali Aliun. Foto KALLXO.com.
Mbahet tryezë shkencore për Aliu Aliun në 90-vjetorin e lindjes së tij
Organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH), është mbajtur të martën, më 02.04.2024, tryeza shkencore “Krijimtaria letrare e Aliu Aliut, në 90-vjetorin e lindjes”.
Gjatë kësaj tryeze, studiuesit e letrave shqipe vunë në pah kontributin për më se 5 dekada të Ali Aliut për letërsinë shqipe. Sipas tyre, Aliu është ndër studiuesit dhe kritikët më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqipe.
Studiuesi Sabri Hamiti, anëtar i ASHAK-ut, gjatë fjalës së tij tha se Ali Aliu ka një kontribut prej mbi 5 dekadash në letërsinë shqipe. Ai ka përmendur edhe kontributin politik e shoqëror të Aliut gjatë viteve të 90-ta. “Në punë letrare, Aliu ka mbi 5 decenie që është paraqitur, që është aktiv edhe që vazhdon pandërprerë edhe sot”- tha Hamiti.
Akademik Mehmet Kraja, kryetar i ASHAK-ut, është shprehur se Ali Aliu si askush, i kërkon, hulumton, studion dhe promovon vlerat krijuese letrare shqiptare. “Ai i promovoi dhe prezantoi të gjithë poetët dhe prozatorët e Kosovës dhe Shqipërisë pa bërë asnjë ndarje. Për të, letërsia shqipe ishte një dhe e pandashme”- tha Kraja.
Ndërsa, Shaban Sinani, anëtar i ASHSH-së, është shprehur se Aliu ka studiuar veprat letrare të shkrimtarëve pavarësisht se ku ata krijonin, qoftë në Shqipëri, tek shqiptarët në ish- Jugosllavi, diasporë, tek arbëreshët e Italisë dhe letërsinë e krijuar në burgje, (burgologjia). “Aliu Aliu e studioi letërsinë shqipe, autorët e saj, pavarësisht kufijve dhe sistemeve të kohës. Ai, padyshim, nisur nga kontributi i tij, është një prej kuadrove më të sjellshme të botës shqiptare”- tha akademik Sinani.
Gjatë tryezës shkencore, “Krijimtaria letrare e Aliu Aliut, në 90-vjetorine lindjes” janë prezantuar 10 kumtesa shkencore për veprën studimore të Aliut.
Ali Aliu ka lindur më 1934 në Kranjë të Prespës në Maqedoninë e Veriut. Është shkolluar në vendlindje, Manastir e Shkup. Studimet universitare për albanologji i mbaroi në Beograd në vitin 1960.
Pas studimeve punoi si gazetar në gazetën “Flaka e vllaznimit” në Shkup. Kurse prej vitit 1969 deri në vitin 1972 punoi në edicionin e botimeve “Rilindja”. Që nga viti 1972 deri në pension ishte profesor në Fakultetin Filologjik të Prishtinës, për lëndën Teori e letërsisë. E më vonë edhe në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë në Maqedoninë e Veriut. Nga viti 1996 është anëtar i ASHAK-ut. Është anëtar i jashtëm i ASHSH-së dhe i Akademisë të Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë.
Ali Aliu është autori i dhjetëra veprave studimore nga fusha e letërsisë bashkëkohore shqiptare. Ishte njëri nga themeluesit e LDK-së në vitin 1989 dhe anëtar i Kryesisë së saj në dy mandate. Ka drejtuar zyrën e Kosovës në Tiranë (1991).