Ministrja Tregon Çfarë e Pret Kosovën pas Ratifikimit të Demarkacionit

Ministrja e Integrimit Dhurata Hoxha dakordimin e sotëm të shumicës së partive politike për ratifikimin e demarkacionit e cilësoi lajm të shumëpritur.

“Arritja e konsensusit për ratifikimin e demarkacionit, është lajm i shumëpritur, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës por edhe për miqtë tanë”, shkroi Hoxha në facebook.

Ajo më tutje konstatoi se izolimit po i vie fundi.

“Me këtë konsensus, u rikonfirmua rruga jonë integruese euro-atlantike, konsensusit tonë nacional. Izolimit po i vjen fundi”, vijoi postimi i Hoxhës.

Ajo bëri të ditur se pas ratifikimit të demarkacionit nisin procedurat për liberalizim vizash

“Me punë e përkushtim gjithëpërfshirës së bashku me institucionet e BE-së, arrijmë duke zbatuar procedurat dhe matshmërinë e zotimeve tona, në fushën e sundimit të ligjit, rritjes ekonomike, mirëqenies së qytetarëve dhe të gjitha vlerat tjera të cilat i aspirojmë si shtet”, shkroi Hoxha.

Dakordimi mes shumicës së subjekteve politike rreth ratifikimit të demarkacionit është bërë, sipas Hoxhës për të mirën e qytetarëve.

“Dita e sotme dëshmoi se vullneti i krerëve politikë të Kosovës kurrë nuk ka munguar për të sjellë ndryshime të shumëpritura për secilin qytetar. Qytetarët mbi të gjitha!”, përfundoi Hoxha.