Dhurata Hoxha (25.07.2023) Foto- Laurant Berisha

Foto: KALLXO.com

Dy dëshmitarë dëshmuan në gjykimin e ish-ministres Dhurata Hoxha, e akuzuar se paratë e Ministrisë i shfrytëzoi për fushatë zgjedhore

Dhurata Hoxha, Gëzim Dushi, Fitim Mustafa dhe Ekrem Tahiri dolën sërish para Gjykatës për t’u përballur me akuzat për keqpërdorim dhe ndihmë në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, mbi 140 mijë euro të buxhetit të shtetit, të cilat ishin destinuar për informimin e drejtë të qytetarëve rreth liberalizimit të vizave, përfunduan duke promovuar fushatën elektorale të ish-ministres Dhurata Hoxha për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Në këtë seancë në cilësi të dëshmitarëve të ftuar nga Prokuroria ishin Bleta Verbovci dhe Urim Salihu.

E para është ftuar të dëshmojë në cilësinë e zyrtares së lartë për grante në Zyrën e Kryeministrit. Kurse Salihu ishte i ftuar si zyrtar i lartë ligjor në Drejtorinë për të  drejtën e Bashkimit Europian.

Dëshmitarja në pyetjen e Prokurorisë u përgjigj se kanë bërë vlerësimin e ofertave në bazë të ligjit.

“Po janë vlerësuar në bazë të ligjit”- tha Verbovci.

Dëshmitarja në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Fitim Mustafa, Arbër Jashari, se “ a e kishte kuptuar drejt nëse them se ju e keni nënshkruar raportin e vlerësimit përfundimtar me të cilin “PR Solution” është zgjedhur si operatori i vetëm i përgjegjshëm?”, dëshmitarja tha se operatori ekonomik  N.SH 2B pasi ishte deklaruar se nuk është i gatshëm që të punojë me orar të plotë, atëherë i njëjti operator ka dalë i papërgjegjshëm.

Papërgjegjshmëria e këtij operatori ishte shpallur pas vendimit të komisionit vlerësues pas pranimit të email-eve dhe deklarimit të vetë operatorit ekonomik.

“Po, ai ka deklaruar se nëse kërkohet me qenë me orar të plotë ata kanë deklaruar se nuk mundemi, pasi që nuk kanë staf të rregullt por vetëm me kontrata mbi vepër”- u deklarua dëshmitarja.

Në këtë rast ka dëshmuar edhe zyrtari i lartë ligjor në Drejtorinë për të drejtën e Bashkimit Europian, Urim Salihu.

Salihu në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarës Dhurata Hoxha, Florent Latifaj, se a e kishin vërtetuar me ndonjë fakt se në dokumentacionet që i kanë shqyrtuar a flitej edhe për fushatën zgjedhore të Dhurata Hoxhës, u përgjigj se “te dokumentacionet e ofruara nuk kemi parë ndonjë dokument për fushatë, por kanë qenë vetëm thashetheme nëpër korridore dhe ne si komision nuk kemi mundur me i vërtetu”.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 20 dhjetor të këtij viti.

Trupi gjykues në këtë rast përbëhet nga Vesel Ismaili – kryetar, dhe Lutfi Shala dhe Violeta Namani – anëtarë.

Mbi 140 mijë euro të buxhetit të shtetit, të cilat ishin destinuar për informimin e drejtë të qytetarëve rreth liberalizimit të vizave, përfunduan duke promovuar fushatën elektorale të ish-ministres Dhurata Hoxha për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Kështu përshkruhet në aktakuzën voluminoze të Prokurorisë Speciale përmes së cilës për afera korruptive po akuzohen ish-ministrja Dhurata Hoxha dhe zyrtarët e tjerë të kësaj Ministrie, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi.

Këto mjete kishin përfunduar në llogaritë e disa portaleve përmes kompanisë “PR Solutions”, e cila e kishte marrë kontratën “Informimi i publikut për nevojat e MIE-së”.

Hetimet në lidhje më këtë rast kishin filluar pas hulumtimit të KALLXO.com dhe shkresave informuese të Zyrës Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova, të cilat kishin alarmuar Prokurorinë për kontratat lobuese të Ministrisë së Integrimeve Europiane dhe dyshimeve për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove nga kjo Ministri.

Në aktakuzën e PSRK-së përshkruhet se kompania, e cila ishte më e lira dhe që i kishte përmbushur të gjitha kriteret, ishte larguar në mënyrë të kundërligjshme nga procesi i tenderimit. Për këtë arsye për keqpërdorim të detyrës po akuzohet Fitim Mustafa, i cili ishte shef i prokurimit në MIE.

Ai po akuzohet se është përfshirë në afera korruptive në momentin kur e ka shpallur fituese kompaninë “PR Solutions” dhe jo kompaninë e cila kishte ofertuar me çmimin më të lirë.

Sipas Prokurorisë, “N.Sh. 2B” ishte eliminuar nga gara në mënyrë të kundërligjshme edhe pse i kishte plotësuar të gjitha kriteret bazë të tenderit dhe ishte për 192 mijë euro më e lirë sesa kompania e cila në fund u shpall fituese.

Kontrata me kompaninë “PR Solutions” ishte nënshkruar nga ish-ministrja Dhurata Hoxha, e cila po akuzohet se i kishte shfrytëzuar mjetet e Ministrisë për promovimin e fushatës zgjedhore.

Hoxha po akuzohet se kontratën që kishte për qëllim informimin e qytetarëve për procesin e liberalizimit të vizave e kishte përdorur për publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që përmbanin të arriturat dhe vizionin e saj. Dëmi që Hoxha ia ka shkaktuar buxhetit të Kosovës përshkruhet të jetë mbi 140 mijë euro.

Ndërsa Gëzim Dushi akuzohet se kishte lejuar zbatimin e këtyre video-spoteve dhe banerëve ndonëse ishin në kundërshtim me qëllimin e kontratës.

Në lidhje me zbatimin e kësaj kontrate po akuzohet edhe pronari i “PR Solutions”, Ekrem Tahiri, i cili përshkruhet se kishte bërë promovimin e fushatës zgjedhore të kandidates Dhurata Hoxha edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e ofruara ishin në kundërshtim me qëllimin e kontratës.