Bekim Jashari dëshmitar në gjyq: Nëse këta dalin fajtorë edhe unë jam fajtor, sepse për gjithçka kemi qenë në koordinim

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca gjyqësore ndaj ish-drejtorit të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Bahri Nuredinit, dhe menaxherit Driton Mehaj, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Nuredini dhe Mehaj akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke i mundësuar operatorit ekonomik ‘TCN International” Sh.P.K. nga Tirana që të fitojë tenderin në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas Prokurorisë Speciale, Nuredini dhe Mehaj i kanë shkaktuar dëm buxhetit të ASHNA-s dhe buxhetit publik në vlerë 1 milion e 937 mijë e 230 euro.

Në këtë gjykim sot dëshmi dhanë ish-kryetari i bordit të drejtorëve të Aeroportit “Adem Jashari”, Bekim Jashari, dhe ish-anëtarja e bordit, Dhurata Hoxha.

I ftuar nga Prokuroria të dëshmojë në cilësinë e ish-kryetarit të bordit të drejtorëve ve të Aeroportit “Adem Jashari”, Bekim Jashari tha se kishte marrë pjesë në mbledhjen e 64-të të bordit të datës 15.7.2011, ku në rend dite kishte qenë transferimi i 130 punëtorëve nga ANP te kompania “Limak”.

Sipas tij, nga një analizë financiare ka dalë që nga ky transferim janë kursyer rreth 1 milion euro të buxhetit.

Dëshmitari tha se ndihet mirë për këtë marrëveshje pasi që të njëjtit punëtorë të transferuar janë ende në punë dhe mbajnë familjet e tyre si rezultat i kësaj marrëveshjeje.

Për këtë marrëveshje, sipas dëshmitarit, kishin votuar pro të gjithë anëtarët.

“Nëse këta dalin fajtorë edhe unë jam fajtor sepse për gjithçka kemi qenë në koordinim, në bashkëpunim, kemi funksionu si familje”- u shpreh Bekim Jashari, duke theksuar se sipas bindjes së tij kanë vepruar drejt lidhur me transferimin e këtyre punëtorëve te kompania “Limak”.

Ndërsa dëshmitarja Dhurata Hoxha u përgjigj se nuk kishte qenë në dijeni se pika 5 (e mbledhjes së bordit të datës 29.9.2011, e cila ishte aprovuar nga bordi), kishte qenë pjesë e marrëveshjes bazë mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Limak”.

Për të dëshmuar në këtë rast janë ftuar edhe Bislim Zogaj dhe Dardan Gashi.

Gashi mungoi e Zogaj u la që të dëshmojë nesër pasi kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, kishte shpallje në sesionin e pasditës për rastin e vizave italiane.

Në muajin maj të vitit 2022, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Bahri Nuredinit në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) dhe Driton Mehajt në cilësinë e menaxherit të kontratës për furnizim me sisteme të navigacionit dhe rilokim të sistemeve ekzistuese në ASHNA.

Nuredini dhe Mehaj akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke i mundësuar operatorit ekonomik “TCN International” Sh.P.K. nga Tirana që të fitojë tenderin në mënyrë të kundërligjshme.

Ashtu që kontrata është nënshkruar më 6 nëntor të vitit 2011, duke e ditur se kontrata për “rilokimin e sistemit ekzistues” ka qenë pjesë e kontratës të datës 12 shtator të vitit 2010.

Kontrata e re ishte lidhur mes komisionit drejtues ndërministror të Projektit të Partneritetit Publiko-Privat dhe kompanisë “Limak Kosova International Aeroport”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit e kishin futur rilokimin e sistemit ekzistues në tenderin e ri anipse ky ka qenë obligim kontraktual i kompanisë “Limak” në kontratën bazë.

Sipas aktakuzës, gjatë zbatimit të këtij projekti nuk janë ndërmarrë veprimet për shkëputje të kontratës ashtu siç parashihet me ligj për shkak të shkeljeve të kryera nga operatori ekonomik “TCN International” pasi që në mënyrë të kundërligjshme kanë bërë zgjatjen e afatit të kontratës nga 532 ditë në 1700 ditë.

Edhe pas zgjatjes së këtij afati, sipas Prokurorisë, kontrata nuk ishte përmbushur, duke u shkëputur në mënyrë të njëanshme nga “TCN International”, marrë për bazë që deri më 19.9.2016 ishin paguar 97% të mjeteve financiare.

Kurse për punët e papërfunduara nga kjo kompani, gjithnjë sipas aktakuzës, ASHNA kishte lidhur kontratë me operatorin ekonomik nga Italia “Leonardo” me titullin “rilokimi dhe azhurnimi” në vlerë 386 mijë euro.

Me këtë, sipas Prokurorisë Speciale, Nuredini dhe Mehaj i kanë shkaktuar dëm buxhetit të ASHNA-s dhe buxhetit publik në vlerë 1 milion e 937 mijë e 230 euro.

Nuredinit mandati si drejtor i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror i ka përfunduar në qershor të vitit 2022.

Në vitin 2018, “Jeta në Kosovë” pati publikuar një seri të emisioneve hulumtuese në lidhje me dyshimet për keqpërdorime në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, me titullin “Aksham Pazar me Aeroport Ndërkombëtar” në lidhje me keqpërdorimet.

Emisioni i parë kishte trajtuar parregullsitë në përmbushjen e marrëveshjes për koncesionimin e Aeroportit nga kompania “Limak”, i dyti për sigurinë e këtij Aeroporti, ndërsa në emisionin e tretë ka qenë prezent vetë Bahri Nuredini, i cili u përgjigj për të gjitha raportimet dhe gjetjet e dy emisioneve paraprake të fokusuara në Aeroportin e Prishtinës dhe ASHNA dhe punësimet aty. Ndërsa në emisionin e katërt ishte i pranishëm drejtori i kompanisë “Limak” për t’iu përgjigjur akuzave.

Artikujt e tjerë në lidhje me këtë rast i gjeni në këtë LINK.