Dhurata Hoxha (25.07.2023) Foto- Laurant Berisha

Foto: KALLXO.com

Dështon seanca gjyqësore ndaj ish-ministres Hoxha, akuzohet se paratë e Ministrisë i përdori për promovimin e fushatës zgjedhore

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, Gëzim Dushi, Fitim Mustafa dhe Ekrem Tahiri  të cilët po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Dështimi i seancës erdhi si shkak i mungesës së avokates Kosovare Kelmendi e cila përfaqëson të akuzuarin Gëzim Dushi.

Sipas njoftimit që bëri gjyqtari i rastit, Vesel Ismaili, Avokatja Kelmendi ka njoftur gjykatën se e njëjta nuk mund të paraqitet në gjykatore për arsye shëndetësore.

Në këtë seancë parashihej që gjykimi të vazhdonte me dëgjimin e dëshmitarëve, Ilir Muqaj, dëshmia e të cilit kishte mbetur në gjysmë në seacnën e 25 korrikut të këtij viti dhe dëgjimi i dëshmitares Blerta Vërbovci e cila mungoi.

Në këto rrethana seanca e sotme nuk u mbajt për t`u caktuar të mbahet më 31 tetor të këtij viti.

Mbi 140 mijë euro të buxhetit të shtetit, të cilat ishin destinuar për informimin e drejtë të qytetarëve rreth liberalizimit të vizave, sipas dosjes së prokurorisë përfunduan duke promovuar fushatën elektorale të ish-ministres Dhurata Hoxha për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Kështu përshkruhet në aktakuzën voluminoze të Prokurorisë Speciale përmes së cilës për afera korruptive po akuzohen ish-ministrja Dhurata Hoxha dhe zyrtarët e tjerë të kësaj Ministrie, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi.

Këto mjete kishin përfunduar në llogaritë e disa portaleve përmes kompanisë “PR Solutions”, e cila e kishte marrë kontratën “Informimi i publikut për nevojat e MIE-së”.

Hetimet në lidhje më këtë rast kishin filluar pas hulumtimit të KALLXO.com dhe shkresave informuese të Zyrës Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova, të cilat kishin alarmuar Prokurorinë për kontratat lobuese të Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe dyshimeve për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove nga kjo Ministri.

Në aktakuzën e PSRK-së përshkruhet se kompania, e cila ishte më e lira dhe që i kishte përmbushur të gjitha kriteret, ishte larguar në mënyrë të kundërligjshme nga procesi i tenderimit. Për këtë arsye për keqpërdorim të detyrës po akuzohet Fitim Mustafa, i cili ishte shef i prokurimit në MIE.

Ai po akuzohet se është përfshirë në afera korruptive në momentin kur e ka shpallur fituese kompaninë “PR Solutions” dhe jo kompaninë e cila kishte ofertuar me çmimin më të lirë.

Sipas Prokurorisë “N.Sh. 2B”, ishte eliminuar nga gara në mënyrë të kundërligjshme edhe pse i kishte plotësuar të gjitha kriteret bazë të tenderit dhe ishte për 192 mijë euro më e lirë se sa kompania e cila në fund u shpall fituese.

Kontrata me kompaninë “PR Solutions” ishte nënshkruar nga ish-ministrja Dhurata Hoxha, e cila po akuzohet se i kishte shfrytëzuar mjetet e Ministrisë për promovimin e fushatës zgjedhore.

Hoxha po akuzohet se kontratën që kishte për qëllim informimin e qytetarëve për procesin e liberalizimit të vizave e kishte përdorur për publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që përmbanin të arriturat dhe vizionin e saj. Dëmi që Hoxha ia ka shkaktuar buxhetit të Kosovës përshkruhet të jetë mbi 140 mijë euro.

Ndërsa Gëzim Dushi akuzohet se kishte lejuar zbatimin e këtyre video-spoteve dhe banerëve ndonëse ishin në kundërshtim me qëllimin e kontratës.

Në lidhje me zbatimin e kësaj kontrate po akuzohet edhe pronari i “PR Solutions”, Ekrem Tahiri, i cili përshkruhet se kishte bërë promovimin e fushatës zgjedhore të kandidates Dhurata Hoxha edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e ofruara ishin në kundërshtim me qëllimin e kontratës.