Foto: Facebook

Ministri Dekoroi Gjyqtarin 'Tolerues'

Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi ka dekoruar gjyqtarë dhe prokurorë me çmimin për drejtësi “Heroi Sali Çekaj”, si shpërblim për punën dhe angazhimin e tyre. Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, në pjesën e dytë, në mesin e të dekoruarve është edhe gjykatësi  nga Podujeva Minir Hoti.

“Drejtësia në Kosovë” në nëntor të vitit të kaluar pas një hulumtimi gati njëvjeçar pati raportuar se si në të njëjtën ditë kishte shqiptuar dënim me kusht dhe vërejtje gjyqësore për të njëjtin të akuzuar dhe nuk e kishte evidentuar se personi është i dënuar më parë. Personi të cilin Hoti po e gjykonte ishte i dënuar nga po e njëjta gjykatë me dënim të plotfuqishëm pikërisht për dhunën që kishte ushtruar ndaj bashkëshortes së tij Hajrie Aliu.

Se kush e propozoi dhe si erdhi deri te dekorimi i gjykatësit Hoti me çmimin “Heroi Sali Çekaj”, kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, në një përgjigje me shkrim për emisionin “Drejtësia në Kosovë”, ka deklaruar se nuk është në dijeni për këtë dhe se fakti se ai nuk di asgjë tregon se diçka nuk është në rregull.

“Si kryetar i Gjykatës tani për herë të parë po dëgjoj për këtë propozim. Së pari nuk do të deklarohem as për as kundër që gjyqtarit Minir Hoti t’i ndahet shpërbimi “Heroi Sali Çekaj”. Por, vet fakti se kryetari i Gjykatës nuk është në dijeni për këtë  propozim dhe për këtë mënyrë të të vepruarit  tregon se diçka nuk është në rregull. Lidhur me këtë çështje nuk do të komentoj më shumë”, ka deklaruar kryetari i Gjykatës së Prishtinës Hamdi Ibrahimi, transmetoi “Drejtësia në Kosovë”.

Nehat Idrizi, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, siç transmetoi emisioni, ka deklaruar se gjykatësi Minir Hoti është propozuar nga anëtarët e këtij Këshilli për t`u dekoruar më këtë çmim.

“Në njërën nga mbledhjet e fundit me kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë, ne si Këshill kemi patur në rend dite edhe propozimet për gjyqtarët për çmimin “Sali Çekaj”. Në mesin e gjyqtarëve ka qenë edhe propozimi për gjyqtarin konkret. Nga verifikimet që janë bërë nuk kemi patur ndonjë informatë që ndonjëri nga kandidatët e propozuar është në procedurë, apo ka ndonjë kërkesë për inicimin e procedurave disiplinore ndaj tij”, ka deklaruar kryesuesi i KGJ-së Nehat Idrizi.

Siç tregoi hulumtimi, Zyra e Prokurorit Disiplinor, pas transmetimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë”, ka filluar hetimet preliminare rreth çështjeve të ngritura në emision.

Zef Prendrecaj i ka thënë ekipit të emisionit se brenda pak ditësh do të përfundojnë me hetimin e tyre.

“Mund të konfirmoj se posa e kemi parë emisionin “Drejtësia në Kosovë”, duke u bazuar ne informacionet që janë dhënë, sipas detyrës zyrtare ne kemi filluar një hetim preliminar dhe i kemi grumbulluar të gjitha informacionet relevante të cilat do na e tregojnë nëse ka elemente të sjelljes jo të mirë. Në rastin konkret ne në vendimmarrje nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë sepse nuk kemi mandat të vlerësojmë vendimmarrjen e gjyqtarëve, por ne i kemi marrë veprimet hetimore preliminare me qëllim të sigurimit të provave të mjaftueshme nëse ka elemente të sjelljes së pahijshme”, ka deklaruar Zef Prendrecaj nga ZPD.

http://kallxo.com/e-rrahur-nga-burri-e-lene-pas-dore-nga-drejtesia/

http://kallxo.com/gjykates-e-prokurore-nderohen-cmimin-sali-cekaj/