Hajredin Kuçi demanton raportimet për arrestimin e tij dhe bastisjen e shtëpisë nga Gjykata Speciale
Paraditen e datës 07.03.2024, disa media kanë raportuar për arrestimin nga Gjykata Speciale e disa për bastisjen e shtëpisë së Hajredin Kuçit, ish-ministrit të Drejtësisë në kohën kur Kuvendi i Kosovës miratoi themelimin e Gjykatës Speciale.
Por këto raportime i ka demantuar vet Kuçi për KALLXO.com.
Sipas tij, lajmet kanë shqetësuar familjen ndërsa ai u ka ofruar shpjegimet edhe vetë mediave që i publikuan lajmet e rreme.
“Nuk ka pasur bastisje të shtëpisë sime, ka pasur një kontakt me zyrtarët e Gjykatës Speciale, po jo në shtëpi. Kjo me thënë në portale që ka pasur bastisje është veç për me i kliku edhe me ma shqetësu familjen time, pra kam pasur takim me ta (zyrtarët e Gjykatës Speciale) për çështje të punës” – ka thënë ai për KALLXO.com më 07.03.2024.
“Ua kam dhënë shpjegimin mediave që e kanë publikuar lajmin që jam arrestuar, pra as nuk jam arrestuar as nuk më është bastisur shtëpia” – ka deklaruar Kuçi.
Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale kanë zhvilluar aksion tek shtëpia e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi.
Lidhur me këtë, në afërsi të vendit të bastisjes për media është prononcuar avokati i Selimit, Artan Qerkini. Avokati Qerkini bëri të ditur se Selimi nuk është i dyshuar.
“Ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar por sipas urdhrit të gjykatës mendohet se në shtëpinë e tij mund të ketë pasur prova të cilat ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë”- ka shtuar ai.
Raportimet e rreme
Disa medie online publikuan lajmin se ish-ministrit të Drejtësisë në vitet 2011-2016, Hajredin Kuçi, i është bastisur shtëpia nga Gjykata Speciale. Disa prej tyre, pas u konfirmua nga Kuçi që nuk i është bastisur shtëpia, i kanë fshirë ato.
Media online “IndeksOnline” publikoi një lajm me titull “Ekskluzive: Gjykata Speciale aksion në shtëpinë e Hajredin Kuçit” duke bërë edhe një përshkrim në faqen e tyre në Facebook “Zhvillimet e fundit nga Gjykata Speciale”.
Ndërsa, rreth bastisjes në shtëpinë e ish-ministrit të Drejtësisë raportoi edhe portali “Nacionale.com” me titull “Përveç te Sylejman Selimi, edhe te Hajredin kuçi: Specialja me aksione të reja në Kosovë”.
“Nacionale.com” në artikullin e publikuar ka cituar median tjetër online “Indeksonline”, për lajmin rreth aksionit në shtëpinë e Kuçit ndërsa ka theksuar se vet ata nuk kanë arritur që ta konfirmojnë lajmin.
“Gjithashtu, gjatë ditës së sotme Specialja ka aksion edhe në shtëpinë e Hajredin Kuçit. Kështu ka raportuar Indeksonline. Nacionale nuk ka arritur ta konfirmojë lajmin” – thuhet në artikullin e publikuar nga “Nacionale.com” më 07.03.2024.
Lajmin për bastisjen e shtëpisë së Hajredin Kuçit e publikoi edhe media tjetër online “Sinjali.com” me titull “Përveç shtëpisë së Sylejman Selimit, bastiset edhe ajo e Hajredin Kuçit”.
Lajmi u shpërnda edhe nga disa media të tjera në Facebook si “Gazeta Raporti”, “RTV BESA”, “The Observer” dhe “Shekulli.info”.
Ndërsa “Gazetademos.com” publikoi lajmin me titull “Gjykata Speciale arreston Hajredin Kuçin” duke u thirrur në burime. Sipas kësaj medie, mëngjesin e datës 07.03.2024, gjithashtu shtëpia e Kuçit është bastisur nga zyrtarët e Gjykatës Speciale. Por ky informacion, u demantua nga Hajredin Kuçi.
Hajredin Kuçi ka qenë ministër i Drejtësisë në vitet 2011-2016, në kohën kur Kosova ka pranuar themelimin e Gjykatëse Speciale të Kosovës në Hagë të Holandës.
Nga muaji qershor i vitit 2021, Hajredin Kuçi është këshilltar juridik në kompaninë e avokatisë “av. Ben Emerson- King & Spalding co.” në Londër të Britanisë së Madhe.
Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka dhënë detaje por ka konfirmuar që gjatë ditës kanë kryer aksione në disa lokacione.
“Na vjen keq. Asnjë sqarim. Mund të them vetëm se SPO po kryen operacione të vazhdueshme me mbështetjen e EULEX-it dhe Policisë së Kosovës” – thuhet në përgjigjen e ZPS-së për KALLXO.com më 07.03.2024.