Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

"Dardafon.net" reagon pas suspendimit të Përmbaruesit Privat në kontestin me Telekomin

Kompania “Dardafon.net” e ka quajtur ndërhyrje flagrante në sistemin e drejtësisë vendimin e fundit të Ministrisë së Drejtësisë për të suspenduar Përmbaruesin Privat, Irfan Kërçagu, në kontestin maratonik me Telekomin e Kosovës.

Në reagimin e “Dardafon.net” thuhet se Kërçagu ishte zgjedhur nga vetë Ministria për të trajtuar lëndën.

“Kjo ndodh në një kohë kur gjykata ka konstatuar që ky përmbarues nuk ka bërë asnjë shkelje të procedurave apo ligjeve në fuqi” – thuhet ne komunikatë.

Akti i suspendimit, sipas “Dardafon.net”, tregon jo vetëm një shkelje të qartë të parimeve të pavarësisë së institucioneve gjyqësore, por edhe një ndërhyrje politike të paprecedentë në vendimet gjyqësore dhe në funksionimin e institucioneve të drejtësisë

“Dardafoni bën thirrje për rikthimin e menjëhershëm të përmbaruesit në detyrën e tij, për të mundësuar ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, si e drejtë e garantuar kushtetuese” – vijon komunikata.

Aty thuhet se “Dardafon.net” ka gatishmëri për bashkëpunim me të gjitha instancat institucionale për të siguruar një zgjidhje të drejtë dhe të ligjshme për çështjen në fjalë, duke mbrojtur interesat e të gjithë të përfshirëve.

Shefi i kabinetit të ministres së Drejtësisë, Genc Nimoni, i ka thënë Kallxo.com se lidhur me këtë çështje do të japin një përgjigje të kompletuar nesër.

Në fillimit të marsit të këtij vitit Telekomi i Kosovës përmes një komunikate pati njoftuar se ka bërë kërkesë për përjashtimin e Përmbaruesit Irfan Kërçagu nga ky proces.

Vendimi i fundit i Gjykatës lidhur me këtë çështje ka obliguar ndër të tjera Telekomin që t’ia paguajë “Dardafon.net” (i njohur si “Z Mobile”) 5,732,871.34 euro. Më shumë rreth këtij vendimi mund të lexoni këtu.

Ky vendim i fundit i shkallës së parë erdhi pasi Dhoma e shkallës së dytë për herë të tretë e kishte kthyer në rigjykim vendimin paraprak të dhomave të shkallës së parë të cilat kishin vendosur lidhur me ekzekutimin e vendimit përfundimtar të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të vitit 2016.

Përmes këtij vendimi të marrë me 17.07.2023, edhe atëherë Telekomi i Kosovës ishte detyruar nga dhomat e shkallës së parë që t’ia paguajë kreditorit “Dardafon” shumën 5,732,871.34 euro në një afat prej 7 ditësh nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.

Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pas pretendimit se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Marrëveshja kishte shkuar deri në Tribunalin e Arbitrazhit, i cili kishte vendosur në favor të “Dardafon.net”-it.

Sipas Telekomit, vendimi i Arbitrazhit ishte mbi 27 milionë euro, kurse Telekomi pretendon se kishte kryer pagesa në emër të vendimit të Arbitrazhit në shumën prej rreth 40 milionë euro ndaj “Dardafon”-it.

Sipas pretendimeve të Telekomit të Kosovës, kompanisë “Dardafon” i janë paguar mbi 13 milionë euro më shumë

KALLXO.com ka kontaktuar Përmbaruesin Irfan Kërçagu për ta pyetur lidhur me ecurinë e përmbarimit dhe për qëndrimin e tij lidhur me kërkesën e Telekomit për përjashtimit e tij nga procesi, por i njëjti deri në momentin e publikimit e këtij artikulli nuk është përgjigjur.