Foto: Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Facebook
Nis zbatimi i urdhrit të Gjykatës për pasurinë e paluajtshme në rastin Banjska
Ministria e Drejtësisë ka filluar që të zbatojë urdhrin e Gjykatës për pasurinë e paluajtshme në rastin Banjska.
Përmes Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, ajo ka filluar identifikimin e këtyre pasurive, për të bërë sigurimin e atyre pasurive.
“Ministria e Drejtësisë, përmes zyrtarëve të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, kanë nisur zbatimin e Urdhrit Ndalues përfundimtar me masë të përkohshme, lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska” – ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Haxhiu tha se ka filluar identifikimi edhe i vilës që konsiderohej të ketë qenë e Milan Radojiçiqit, që ajo e quan kryekriminel. Kjo vilë gjendet te Liqeni i Ujmanit në Zubin Potok.
Sipas Ministres, këto veprime po bëhen në përputhje me Ligjin për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar.
Neni 4 i këtij ligji, thotë se njëri prej funksioneve të kësaj agjencie është ekzekutimi i urdhrit të gjykatës për masën e përkohshme për sigurimin e pasurisë.
Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar ka mision luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Republikën e Kosovës, duke ofruar administrim të leverdishëm dhe profesional të pasurisë.
Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të ndodhur më 24.09.2023 në Banjskë të Zveçanit, ku grupi i tij i armatosur kishte vrarë Afrim Bunjakun, oficerin e Policisë së Kosovës. Në kundërpërgjigjen e Policisë ishin vrarë edhe tre anëtarë të grupit të Radoiçiqit.