Minatorët e 'Trepçës' paralajmërojnë grevë nëse s`përmbushen kërkesat e tyre

Minatorët e “Trepçës” po protestojnë para Kuvendit të Kosovës në lidhje me mos-përmbushjen e kërkesave të tyre të cilat i janë dërguar Kuvendit e qeverisë.

Ata janë kërcënuar se do të protestojnë, e do të hyjnë në greva të përgjithshme nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre.

Sipas kryetarit të BSPK-së,  Avni Ajdinit, qeveria e Kosovës i ka harruar minatorët në minierën e “Trepçës” dhe askush nuk po kujdeset për ta.

“Ne asnjëherë nuk do të lëshojmë pe që ta humbim Trepçën. Këto kërkesa janë të gjitha legjitime, të gjitha janë brenda ligjit dhe duhet të realizohen. Po e bëjmë një paralajmërim që qeveria ta marrë një hap të guximshëm dhe të fillojë t`i zgjidhë problemet tona”, tha Ajdini.

Ai shtoi se institucionet e Kosovës duhet të fillojnë ti zgjidhin problemet dhe kërkesat e minatorëve.

“Kërkesat tona janë, njohja e pensionit në 70 përqind dhe mosha e vjetërsisë 50-55 vjet, njohja e stazhit 89-99, sepse shumica e punëtorëve nuk po mund ta marrin pensionin e plotë. Kërkojmë që t’u njihet përvoja e punës për ta arritur skemën pensionale, kërkojmë që skema pensionale të zbritet në 10 vite në mënyrë që ata të mund ta marrin pensionin e plotë”, tha Ajdini.

Ai ka paralajmëruar se nëse nuk përmbushen kërkesat do të vazhdohet me protesta.

Kryetari i minatorëve, Shyqeri Sadiku, tregoi se nga viti 2014 deri në vitin 2017, 26 minatorë kanë humbur jetën, e kjo e gjitha për shkak të moshës dhe kushteve të rënda nëpër miniera.

“Në vitin 2014-2017 kanë vdekur 26 minatorë në marrëdhënie pune ku dyshojmë krejt për shkak të moshës së shtyrë dhe kushteve të rënda që kanë pasur në minierë. Kemi kërkuar me u taku me kryetarin edhe kryeministrin nëse kanë kohë me na prit jemi të gatshëm me i taku e me zgjidh me dialog e jo në rrugë “, tha Sadiku.

Ai shtoi se që 19 vite janë duke pritur për t`u realizuar kërkesat e minatorëve të “Trepçës’, ndërsa theksoi se Bordi Trepçës është politik dhe vetëm se po e rrezikon Trepçën.

“Kërkesat janë të dijshme dhe i keni në tavolinë. Ne ju drejtohemi nga kjo protestë se këto kërkesa të merren parasysh. Kërkesat nuk janë vetëm sociale këtë duhet ta dini , por janë kërkesa që Trepça me draft statusin që është punuar nga bordi i Trepçës që është një bord politik i padijshëm, e ka rrezikuar Trepçën. Trepça është e rrezikuar pasi të gjitha vend burimet përreth minierës nuk i kanë futur në draft status, të gjitha asetet e Trepçës i kanë përjashtuar nga draft statusi”, shtoi ai.

Një kërkesë tjetër e minatorëve është futja e 27 aseteve të Trepçës në draft-statusin dhe të formohet një komision për të trajtuar të gjitha asetet një nga një.

Gjatë kohës kur ishin duke protestuar, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Fitore Pacolli, Xhelal Sveqla dhe deputeti i Nisma-s, Milaim Zeka dolën në përkrahje të protestuesve.

Deputeti i Nisma-s, Milaim Zeka tha se kërkesat e minatorëve do t`i bart në Kuvend.

“Unë personalisht edhe ju kam mbështetur edhe ju mbështes, me Samiun kemi qenë shokë edhe të burgut edhe nuk kemi dal këtu në emër të partive politike, por si deputet. Në qoftë se baballarët tanë kanë ardh me ju vizitu kur keni hy brenda edhe që keni bërë veprën më heroike për ne është marre mos me u solidarizu me juve. Kam njerëz brenda Kuvendit që kur kamionët e Trepçës janë shitur 250 euro, kur kanë mbërri në Kinë janë shit 250 mijë euro. Hajni nuk ka identitet, nuk ka nevojë me qenë as serb, as malazez, as shqiptar me qenë hajn. Hajnat e ri e kanë pru këtu Trepçën. Ne si deputet të të gjitha partive politike do të përpiqemi të ju ndihmojmë sa i përket kërkesave tuaja”, tha Zeka.

Sami kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se e kanë kundërshtuar dhe do ta kundërshtojnë privatizimin e Trepçës.

“Për historinë e vuajtjeve tuaja, nuk po flasim. Kur e pamë këtë takimin tuaj ne dolëm. Ligji për Trepçën ka qenë i dëmshëm dhe qëllimi ka qenë me privatizu. LVV e ka kundërshtuar me kohë, tash ka ardhë statusi për ndarjen e Trepçës edhe këtë e kemi kundërshtuar. E kemi mbajt edhe një takim me ekspertë në lidhje me këtë çështje. LVV as tash as më përpara nuk do të lejoj legalizimin e shitjes dhe humbjes së Trepçës për interesa personal. Kemi dalë me ju përkrah dhe kërkesat e juaja po i bartim para parlamentit. E përkrahim protestën tuaj. Protesta është një segment. Po e shohim humbjen e qindra milionave euro”, tha Kurteshi.