Përveç bojkotimit të mësimit të enjten, aktivistët do të vazhdojnë me protestën gjithëditore para Rektoratit të UP-së

Lëvizja Feministe Studentore ka paralajmëruar protestën e radhës gjithëditore më 11.04.2024, për të kërkuar përjashtimin e profesorit të rregullt të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, të cilin e kanë denoncuar 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual.

Kjo është protesta gjithëditore e pestë e LFS-së, të cilën e kanë filluar nga data 03.04.2024. Qëllimi i këtyre protestave është përjashtimi i profesorit Krasniqi nga UP, pasi ai vazhdon të figurojë si profesor i rregullt në Fakultetin e Edukimit e në anën tjetër denoncimi për ngacmim seksual po trajtohet nga Këshilli i Etikës të UP.

Mirëpo, Krasniqi nuk vazhdon të jetë i angazhuar si profesor nga fakultetet tjera brenda UP-së në Fakultetin e Mjekësisë, pas denoncimit nga studentet e këtij fakulteti.

Fakulteti i Mjekësisë në një përgjigje për KALLXO.com më 27.03.2024, e ka konfirmuar se me Krasniqin e kanë ndërprerë bashkëpunimin nga data 04.03.2024, kur edhe i është kumtuar denoncimi i studenteve, të cilin Fakulteti i Mjekësisë tha se e ka mohuar.

Përveç protestës, më 09.04.2024, LFS së bashku me Kolektivin për Mendim dhe Veprim Feminist, përmes një letre të hapur drejtuar Këshillit të Etikës dhe Rektoratit të UP-së, teksa kanë kërkuar përjashtimin e profesorit Krasniqi kanë paralajmëruar bojkot dhe bllokim të procesit mësimor në UP, më 11.04.2024.

Në letër thuhet se Kolektivi është në dijeni se të enjten, Këshilli i Etikës do të mblidhet për të marrë vendim lidhur me këtë rast.

Sipas informatave të LFS, më 11.04.2024, Këshilli i Etikës do të mblidhet për të shqyrtuar denoncimin ndaj Krasniqit, në ora 11:00.

Në paralajmërimin e tyre për protestën e datës 11.04.2024, nga LFS janë shprehur se nuk do të rreshtohen me “neglizhencën institucionale të UP-së dhe mosprioritizimin e sigurisë së grave dhe vajzave përmes së cilave po normalizohet ngacmimi seksual në hapësirat e UP-së”.

Si rezultat i mospërjashtimit të Krasniqit nga UP deri më sot, LFS thotë se do të përshkallëzojnë rezistencën e tyre, duke bllokuar edhe daljen e anëtarëve të KE-së pas mbledhjes së datës 11.04.2024.

“Të pakënaqur/a e të revoltuar/a me jo-profesionalitetin e Këshillit të Etikës, duke e trajtuar rastin në kundërshtim të plotë me procedurat dhe rregulloret e UP-së, ne përkrah thirrjes për bojkotim të ligjeratave të planifikuara për nesër në të gjitha fakultetet e UP-së, ju ftojmë të na bashkangjiteni për bllokim të daljes së anëtarëve të Këshillit të Etikës nga ndërtesa e Rektoratit, deri sa të marrin një vendimi të drejtë e meritor për profesorin Krasniqi” – thuhet në thirrjen e protestës nga LFS.

Edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar më 09.04.2024, duke thënë se rastet e pretenduara paraqesin shqetësim po aq sa edhe sipas saj janë dëshmi se në UP janë krijuar kushtet e domosdoshme për raportim dhe që secili pjesëtar i stafit akademik “të udhëhiqen nga prirja, detyrimi dhe domosdoshmëria e pakontestueshme e respektimit të kodit të etikës”.

Teuta, Shpresa dhe Era (emra fiktivë) janë tri vajza që në kushte anonimiteti rrëfyen emisionin “Kallxo Përnime”, më 07.04.2024, për ngacmimet seksuale që Xhevat Krasniqi, profesor i matematikës, pretendohet se iu kishte bërë atyre derisa studionin në degën e Farmacisë në UP.

Përveç këtyre trijave në Kallxo Përnime më 07.04.2024 rrëfyen edhe 3 djem që kishin qenë dëshmitarë të këtyre ngacmimeve seksuale që ju kishin bërë vajzave nga viti 2022. Kjo është hera e parë që djemtë në Kosovë dolën publikisht të flasin për ngacmimet që u janë shkaktuar kolegeve të tyre.

“Profesori në fjalë ka fillu duke dhënë komente seksuale gjatë orëve të ligjëratave edhe ushtrimeve. Edhe duke marrë si shembull gjithmonë femrën, na është drejtu të gjitha kolegeve që jemi kanë aty se ‘Femrën kur e mbulon me jorgan i humb bukuria’, ‘Dallimi mes femrës dhe perdes’. Mandej ka pas raste ku ka thënë ‘Femrat e Istogut janë më të bukurat’, ku edhe i ka shiku koleget e mia që kanë qenë nga Istogu”- ka deklaruar ‘Teuta’, e cila zgjodhi të flasë në kushte anonimitetit nën frikën se nëse e shpërfaqë identitetin e saj, do të përballet me më shumë ngacmime.

‘Teuta’ që pretendon se është ballafaquar me fjalë ngacmuese nga Krasniqi, datën 14.02.2023 ka thënë se nuk e harron kurrë sepse sipas saj, ka qenë dita kur asnjëherë nuk është ndier më keq. Pikënisja e kësaj ditë kishin qenë rezultatet e provimit kur profesori Krasniqi e kishte rrëzuar atë nga provimi për 0.05 pikë.

Në konsutime me gojë, siç ka thënë studentja, Krasniqi i kishte thënë se është “i drejtë në vlerësim” duke iu drejtuar edhe me fjalët se “kur të duash të bëjë masazhë”, fjalë të cilat i kishte pasuar edhe një demonstrim duke tentuar “të përqafojë studenten”.

Pesë javë pas denoncimit të studenteve ndaj profesorit të Shkencave të Matematikës, Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual, më 04.04.2024 u mbodh Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës.

Në këtë mbledhje u paraqit edhe vetë Krasniqi, ani pse me gjithë insistimin e Jeta Xharrës, refuzoi të përgjigjet lidhur me pretendimet ndaj tij.

Në emisionin Kallxo Përnime, Xharra tregon se çka thuhej në deklarimin 45-minutësh të Krasniqit para Këshillit.

“Nga ajo se çka u dëgjua në atë mbledhje, Këshilli i Etikës as nuk e quante ngacmim seksual, por vetëm ngacmim dhe se shumë pak u morën me fjalët që i kanë shkruar 27 studentet që e denoncuan Krasniqin.”

Sipas Xharrës, e cila e ka dëgjuar deklarimin e tij, profesori nuk është pyetur për çështjen e masazhit dhe se shumica e kohës ishte koncentuar në mënyrën se si Krasniqi e bën vlerësimin.

Megjithatë, ai e ka pranuar se e mundëson komunikimin me telefon dhe është pyetur në lidhje me organizimin e provimeve porse nuk është pyetur se përse e mbanë derën mbyllur kur i mbanë konsultimet.

Në fjalën përfundimtare, ai ka kontestuar 27 nënshkrimet e studenteve, duke thënë se në atë listë ka studente prej viteve tjera. Kryesisht, vija e mbrojtjes së tij ishte se për shkak që është i vështirë në vlerësim, ai shantazhohet nga studentët.