Milaim Zeka nesër nis partinë e re

Një parti politike më shumë nga nesër do ta ketë Kosova.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka nesër do të promovoj Partinë Euro Atlantike të Kosovës (PEK) në ambientet e hotelit Emerald në mesditë.

“Asnjëherë në historinë e pasluftës nuk ka pasur nevojë më shumë se sot që në skenë politike të vie një parti e re e cila bën ndryshime radikale”, thuhet në ftesën e cila është dërguar medieve.

Sipas njoftimit, partia më e re do të angazhohet për luftimin e hajnisë në Kosovë.

“Kjo parti do të luftojë për një shtet ligjor me standarde euroatlantike, kjo parti do ta luftojë hajnin e parasë publike e cila është instaluar në çdo pore të shtetit të Kosovës. Kjo parti do t’i hapë rrugë mërgatës shqiptare e cila është bazamenti i lirisë, pavarësisë dhe ekzistencës së këtij vendi por që është anashkaluar komplet nga klasa politike e Kosovës”, thuhet tutje në ftesën e PEK-ut.

Kjo parti ka zgjedhur edhe një moto.

“Nuk mund të jesh hajn dhe patriot, nuk mund të jesh hajn dhe njëkohësisht intelektual”, thuhet në fund të ftesës.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë  gjatë vitit 2018 pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, kundër deputetit Milaim Zeka, për veprën penale “mashtrimi” nga neni 335  paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së,  lidhur me nenin 31 të KPRK-së, për veprën penale “shmangia nga tatimi” nga neni 313 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe neni 31 të KPRK-së, si dhe për veprën penale “pastrimi i parave” nga neni 308 të KPRK-së, dhe neni 56 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 e 1.2 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit nr. 05/L-096.

https://kallxo.com/aktakuze-ndaj-deputetit-milaim-zeka-per-mashtrim-e-pastrim-te-parave/

www.kallxo.com