Foto: KALLXO.com

Apeli e vërteton lirimin e Milaim Zekës për cenim të privatësisë

Gjykata e Apelit ka marrë aktgjykim me të cilin e ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë me të cilin Milaim Zeka ishte liruar nga akuza për cenim të privatësisë.

I njëjti akuzohej se kishte incizuar të dëmtuarën B. D., në një restorant në Prishtinë në vitin 2017.

E ku pastaj në rrjetin social “Facebook” kishe publikuar një artikull që aludonte në tani të dëmtuarën, duke përfshirë jetën e saj private.

Me këtë aktgjykim të Apelit është refuzuar si e pa bazuar ankesa e prokurorisë kundër vendimit të Themelores për lirim nga akuza të Zekës.

Apeli vlerësoi se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se dispozitivi i aktgjykimit nuk ka kundërthënie mes vete  dhe se i njëjti është i qartë dhe konkret.

Tutje Apeli ka konstatuar se pretendimet ankimore të Prokurorisë për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike janë të pabaza, me faktin që gjendja faktike në këtë çështje penale është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë.

Gjykata në Prishtinë në nëntor të vitit 2022 kishte marrë vendim me të cilin e kishte liruar nga aktakuza ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka.

I njëjti akuzohej nga Prokuroria në Prishtinë se në vitin 2017 pa autorizim ka incizuar palën e dëmtuar në këtë rast.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari Milaim Zeka në maj të vitit 2017 në një restorant në Prishtinë, pa autorizim e ka incizuar palën e dëmtuar B. D., e më pastaj duke u bazuar në atë incizim, sipas Prokurorisë, i njëjti në rrjetin social “Facebook” e ka publikuar edhe një artikull që aludonte në tani të dëmtuarën, duke përfshirë kështu jetën e saj private.

Me anë të këtyre veprimeve, Prokuroria pretendonte se Milaim Zeka e ka cenuar privatësinë e të dëmtuarës B. D.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor – LINK