Gjykimi për shpifje e fyerje, Milaim Zeka kërkon 1,000 euro kompensim nga nipi i Jakup Krasniqit

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca përgatitore për padinë për shpifje të cilën e ka ushtruar Milaim Zeka ndaj nipit të Jakup Krasniqit, Arian Krasniqi, i cili ka mbajtur funksionin e këshilltarit në Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë.

Padia erdhi pas publikimit të një shkrimi në rrjetin social “Facebook” nga ana e të paditurit me titull “E luan rolin e Dinosaurit por e bën e jetën e zvarranikut”.

Sipas dosjes, Arian Krasniqi kishte thënë se Milaim Zeka sa kishte qenë këshilltar në Minstri të Tregtisë dhe Industrisë kishte shfrytëzuar autoritetin e vet dhe kundërligjshëm kishte lëshuar me qira shtëpinë duke pretenduar se ishte e tija e që në fakt, sipas të paditurit, kishte qenë në emër të një serbi.

Arian Krasniqi gjithashtu e kishte ndërlidhur atë që ai në statusin e tij në “Facebook” e kishte quajtur tendencë për t’i dhënë kahje negative subjektit me siç e ka cilësuar veprimtarinë dhe brumosjen shantazhuese, spiune të Milaim Zekës.

Krasniqi nuk kishte ngurruar që në statusin e postuar ta quaj Zekën “hipokrit”, “dinosaur” e “zvarranik”.

Përfaqësuesi i Milaim Zekës, avokati Faton Qirezi ka thënë në seancën e sotme se nuk do të propozojnë prova të tjera.

“Meqenëse i padituri nuk e ka kontestuar se është autor i deklaratave shpifëse dhe fyese konsiderojmë se këto fakte nuk janë kontestuese ndërmjet palëve andaj nuk kemi prova të tjera për të propozuar” – ka thënë avokati Faton Qirezi.

Ai e ka shpjeguar edhe arsyen se përse kanë kërkuar kompensim financiar në vlerë 1,000 euro.

“Pavarësisht faktit se deklaratat i kanë shkaktuar vuajtje shpirtërore jo vetëm paditësit po edhe familjes së tij dhe dëmit të madh, kërkesën për kompensim financiar e parashtrojmë sot në vlerë prej 1,000 eurove, kjo nga shkaku se qëllimi i padisë nuk është dëmtimi i të paditurit por preventim në mënyrë që ai të mos veprojë sikur në rastin e postimit të tij në Facebook” – ka shpjeguar avokati Faton Qirezi.

Milaim Zeka ka thënë se nuk duhet të anashkalohet fakti se postimi nuk është bërë nga një person i thjeshtë por nga një person që ka qenë këshilltar i ministrit, zyrtar i lartë.

Ai gjithashtu ka thënë se nuk do të reagonte po të ishte fjala për shpifje por sipas tij i padituri u lëshua në akuza.

“Unë nuk do të reagoja në asnjë mënyrë nëse personi do të shkruante “Milaimi është budallë”. I njëjti është lëshuar në akuza, më ka quajtur uzurpator të shtëpisë. Unë shtëpinë e kam blerë me kontratë nga një shqiptare. Shtëpia ka qenë paraprakisht e një paramilitari serb i cili në vitin 1999 ka prerë në fyt me thikë katër fëmijë për çka i njëjti është dënuar me 8 vite burgim nga gjykata e UNMIK-ut” – ka thënë në cilësinë e palës së paditur Milaim Zeka.

Marrë parasysh afërsinë familjare të të paditurit me Jakup Krasniqin, Milaim Zeka ka përmendur se këtë të fundit pos që e ka pasur profesor, ka qenë pjesë e organizatave të ilegalitetit me të, dhe po ashtu ka thënë se kishin rënë në burg së bashku në vitin 1981.

“Kjo i bie që unë mixhën e zotëriut e njoh para tij, dhe ju garantoj që e respektoj dhe e kam respektu gjithë veprën e tij. Unë nuk kam pritë që një familjar të lëshohet në akuza aq të rënda. Po kaq shokuese është që i padituri në vend që të pendohet për atë që ka thënë, ka shkruajtur e ka shpifur, në përgjigjen e tij në padi e arsyeton prapë gjithë atë duke e përsëritur” – ka thënë Milaim Zeka.

“Ky për mua është një gjyq moral” – e ka mbyllur ai.

Arian Krasniqi e ka quajtur kundërpërgjigje statusin e tij në “Facebook”, nga një debat i nisur nga vetë Milaim Zeka.

“Postimi është si kundërpërgjigje në reagim nga një debat i nisur nga vetë pala paditëse pasi që Milaim Zeka ka provokuar një ditë [para postimit] në profilin e tij ku pa asnjë argument dhe asnjë provë apo fakt e shpall Jakup Krasniqin shef të zvrës së punësimit brenda Nismës Socialdemokratike apo siç paditësi e ka quaitur shef të byrosë politike duke përdorur shprehje për sisteme autoritare komuniste që për qëllim kishte denigrimin e prestigjit të Nismës si parti e në veçanti të kryetarit të këshillit kombëtar Jakup Krasniqi, për të cilin vetë kishte deklaruar se ‘ma ka lëshuar vendin që të bëhem deputet’” – ka thënë i padituri Arian Krasniqi.

Ai e ka quajtur procesin gjyqësor në fjalë humbje kohe.

“Konsideroj se ky proces giyqësor ndaj meje është vetëm humbje kohe për mua dhe paditësin sepse do të vërtetohet se pretendimet e paditësit janë të pambështetura. I propozoj gjykatës ta hedhë poshtë padinë” – është shprehur më tutje i padituri Arian Krasniqi.

Ai po ashtu ka propozuar edhe një provë të re.

“I propozoj gjykatës që ta marrë si provë materiale kontratën/ marrëveshjen në arkivën e MTI-së, në të cilën pretendoj se do të vërtetohet ushtrimi i ndikimit nga pozita” – ka thënë Arian Krasniqi.

I autorizuari i paditësit, avokati Faton Qirezi, e kundërshtoi propozimin për këtë kontratë me arsyetimin se kjo provë është irelevante për objektin e këtij kontesti.

Gjykata e ka refuzuar kërkesën e të paditurit për pranimin e provës materiale respektive.

Seanca e radhës do të mbahet më 15 janar të vitit të ardhshëm.

Milaim Zeka ka kërkuar përmes padisë që Gjykata të vërtetojë se deklarata e të paditurit përbën shpifje kundër paditësit; të detyrohet që Arian Krasniqi që të kërkojë publikisht falje dhe në të njëjtën mënyrë të mos përsërisë shpifje kundër paditësit; e gjithashtu edhe të paguajë shumën e kompensimit prej 1,000 euro së bashku me shpenzimet e procedurës.

Arian Krasniqi në përgjigjen e tij e ka arsyetuar shkrimin me lirinë e shprehjes, ai ka kërkuar të hidhet poshtë padia.