Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Foto: EPA/Malton Dibra
Meta: Tema e dialogut Serbi-Kosovë, e posaçme në Samitin e Parisit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta tha se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë do të jetë temë e veçantë në Samitin që pritet të mbahet në Paris më 1 korrik.
Teksa është nikoqir i Samitit ballkanit të procesit të Brdo-Brijunit, Meta doli para gazetarëve për të folur rreth konluzioneve të arritura nga samiti.
I pyetur nga KALLXO.com se a është diskutuar ndonjë mënyrë tjetër, kreative e zhvillimit të dialogut Kosovë-Serbi, Meta nuk pati përgjigje konkrete.
Ai vetëm tha se i inkurajojnë dy vendet për të vazhduar dialogun tashmë të pezulluar.
Ndërsa tha se kjo temë do të jetë e diskutuar në Samitin e Parisit.
“Do të nënvizoja rëndësinë që ne i kushtojmë angazhimit të Serbisë dhe Kosovës për të rinisur dhe vazhduar dialogun. Kjo temë do të jetë akoma më posaçme për Samitin e Parisit. Ne inkurajojmë të dy palët që me lehtësimin e BE-së të përqendërohen për të arritur një marrëveshje të zbatueshme. Mendoj se edhe atmosfera sot ka qenë mjaft konstruktive”, tha Meta.