Mbyllen Bastoret në Viti

Edhe pse kryetari i Vitisë Sokol Haliti me ta marrë pushtetin kishte premtuar largimin e bastoreve nga vendet në afërsi të objekteve edukativo-arsimore e fetare, një gjë e tillë filloi të ndodhë vetëm kur kryetari hyri në vitin e tretë të mandatit.

Drejtoria e Inspektoratit në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës mbyllën bastoret në Viti që janë në kundërshtim me ligjin.

Kjo drejtori është duke punuar bashkë me ATK-në për zhvendosjen e këtyre bizneseve në hapësira të lejuara sipas ligjit.

Në këtë angazhim të pushtetit lokal të Vitisë ndikoi edhe debati “Jeta në Komunë” ku kryetarit Haliti iu kujtua premtimi i pambajtur për mbylljen e bastoreve.

Skender Ahmweti, drejtor i Inspektoratit në Viti vonesat e mosmarrjes së masave ndaj bastoreve të vendosura në lokacione në kundërshtim me ligjit i arsyeton me shqyrtimin e kësaj çështjeje.

“Po ne pas marrjes së pushtetit të kryetarit të komunës Sokol Haliti, ne e kemi shqyrtuar shumë edhe çështjen e bastoreve sportive dhe bastoreve tjera që janë në Viti, kemi konsultuar Ligjin mbi Lojërat e Fatit dhe kompetenca ekzekutive për ndalimin e operimit të këtyre bastoreve është ekskluzivisht e ATK-së,” thotë Ahmeti.

Drejtori Ahmeti tregoi se procesin e mbylljes së bastoreve e kanë bërë në bashkëpunim me ATK-në.

“Kohëve të fundit edhe me një shkresë zyrtare ju kemi drejtuar menaxherit të ATK-së në Prishtinë që të na vijë në shërbim dhe të ndalimin e të gjitha atyre bastoreve që janë afër institucioneve komunale dhe sidomos sheshit qendror  të Vitisë, dhe ata pozitivisht janë përgjigjur dhe kemi bërë inspektimin e parë,” tha Ahmeti.

Ahmeti bëri të ditur se vetëm një bastore nuk u është përmbajtur urdhrave të ATK-së dhe drejtorisë së Inspektoratit.

“Përfundimisht është bërë zgjidhje për këto lojëra të fatit përveç asaj në Pozheran të Vitisë që ende nuk ka respektuar vendimin e ATK dhe Drejtorisë së Inspekcionit. Në Pozheran kemi pak çalim, por edhe këtë do ta bëjmë. prapë jemi në kontakt me ATK-në dhe do të vijnë prapë ta kontrollojmë gjendjen në terren, besoj që javën tjetër do të jenë në Viti,” tha Ahmeti.

Po ashtu Skender Ahmeti theksoi se bastoret tashmë kanë bërë kërkesa për ta ndërruar lokacionin që të fillojnë punën.

“Dhe pas presionit qe ua kemi bërë ne si inspektorat komunal dhe ATK-ja, menjëherë bastoret sportive kanë bërë kërkesa tjera për vende të operimit, natyrisht në distancën e mjaftueshme që lejohet me operu” tha Ahmeti.

Sipas Ligjit për Lojërat e Fatit bastoret duhet të jenë më së paku 500 metra të larguara nga objektet edukativo-arsimore.

Në janar të vitit 2015 KALLXO.com raportoi për një bastore në afërsi të dy shkollave në Lagjen “Dardania” të Prishtinës.

http://kallxo.com/dy-shkolla-ne-dardani-ne-telashe-nga-bastorja/

[interaction id=”56e87fc1703e265d1841c767″]