Rasti “Subvencionet 6”, Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj 16 personave

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër 16 personave me inicialet: E.I, L.S, B.N, F.O, A.E, B.M, M.B,  S.S, A.A, L.F, I.K, F.SH, H.K, S.I, S.Q, dhe H.B., në rastin “Subvencionet VI”. 

Me këtë rast, Prokuroria njofton se, aktakuza është ngritur kundër shtatë të pandehurve në cilësinë e personave zyrtarë, prej tyre pesë të pandehur nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë dhe një zyrtar në Komunën e Vitisë.

Sipas Prokurorisë, aktakuzën e ka ngritur për shkak se ekziston dyshim i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Dhënie ryshfeti” dhe vepra të tjera mashtrimi.

“Kjo aktakuzë është ngritur për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale “Marrje ryshfeti”, nga neni 421 të KPRK-së, “Dhënie ryshfeti”, nga neni 422 të KPRK-së, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së, “Mashtrim në detyrë”, nga neni 419 të KPRK-së, “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 427 të KPRK-së, “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”, nga neni 386 të KPRK-së dhe “Mashtrimi me subvencione”, nga neni 324 të KPRK-së” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Lidhur me vepra të ngjashme si mashtrim me subvencione, në Gjykatën e Prishtinës janë duke u zhvilluar procese gjyqësore për rastin “Subvencionet 1”, Subvencionet 2”, “Subvencionet 3”, “Subvencionet 4” dhe “Subvencionet 5”.