Marija Ristiq, drejtoresha e re e BIRN, Foto: BIRN

Marija Ristiq Emërohet Drejtore e Rrjetit të BIRN

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka emëruar Marija Ristiqin në pozitën e Drejtores të rrjetit rajonal, për të zëvendësuar Drejtoren aktuale, Gordana Igriq.

Marija Ristiq do të jetë Drejtore e rrjetit rajonal të BIRN, që nga 1 maji i këtij viti.

Ajo do ta udhëheqë qendrën e BIRN, e cila koordinon rrjetin BIRN, që merret me redaktimin, trajnimin, operacionet dhe zhvillimin, mbledhjen e fondeve dhe koordinimin e projekteve kryesore rajonale.

Që nga fillimi, BIRN ka tërhequr profesionistë të jashtëzakonshëm në ekipin e saj, të cilët kanë ndihmuar organizatën gjatë viteve të lulëzojë dhe të bëhet një burim i besuar informacioni, dhe Ristiq është një nga shembujt më të shquar, tha Gordana Igriq, drejtoresha aktuale e rrjetit rajonal të BIRN.

“Jam e bindur se ajo do të sjellë ide të reja dhe energji të re në Rrjet, si dhe do ta ruajë me pasion cilësinë e programeve brenda Qendrës”, tha Igriq.

Ristiq filloi të punojë për BIRN në vitin 2011 si gazetare, duke kontribuar në programin rajonal të Drejtësisë Tranzicionale në Ballkan. Temat e lidhura me ballafaqimin me të kaluarën, pajtimin dhe drejtësinë tranzicionale kanë qenë në thelb të zhvillimit të saj profesional.

Në vitin 2015, Ristiq prodhoi dokumentarin e vlerësuar me çmime “Të Paidentifikuar”, i cili u shfaq në të gjithë Europën dhe Shtetet e Bashkuara.

Ajo gjithashtu e bëri BIRN-in një nga organizatat e para mediatike në Ballkanin Perëndimor që ka filluar raportimin e rregullt për ekstremizmin, populizmin dhe propagandën e dhunshme nën iniciativën rajonale “Zërat Kumbues”, e cila gjithashtu përfshinte trajnimin e gazetarëve për të mbuluar këto tema.

“Është një privilegj dhe një nder ta drejtoj një ekip të tillë të jashtëzakonshëm profesionistësh të cilët kanë qenë në ballë të mbrojtjes së lirive të medias, të drejtave të njeriut dhe vendosjes së standardeve më të larta të gazetarisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Ristiq.

Ristiq ka eksperiencë dhe njohuri të rëndësishme në lidhje me mediat, drejtësinë tranzicionale, të drejtat e njeriut, proceset demokratike dhe integrimin në BE.

Ajo ka qenë gjithashtu e përfshirë në mënyrë aktive në zhvillimin organizativ, mbledhjen e fondeve dhe zgjerimin e ndikimit të organizatës në rajon dhe jashtë vendit gjatë disa viteve të fundit.

Ristiq është diplomuar në Akademinë e Gjenevës për të Drejtën Humanitare Ndërkombëtare dhe të Drejtat e Njeriut. Ajo ka marrë çmime të shumta dhe bursa nga fondacioni ‘Konrad Adenauer’, OSBE, fondacioni ‘Zoran Gjingjiq’ dhe Këshilli i Kërkimeve të Norvegjisë. Aktualisht është studente në Universitetin Free në Berlin, Gjermani, e regjistruar në programin e Gazetarisë Evropiane, për hulumtimin e juridiksionit universal.

Gordana Igriq, Drejtorja e rrjetit rajonal që po largohet, krijoi BIRN-in në vitin 2004 dhe gjatë 14 viteve të fundit ka mbikëqyrur rritjen e tij nga një numër i vogël i punonjësve në rreth 150, me gjashtë zyra në Ballkanin Perëndimor, mbulim gazetaresk nga 13 vende dhe 16 faqe të internetit në gjuhën angleze dhe lokale.