Shtegu i ecjes në Mushtisht, Foto: KALLXO.com

Shtegu i ecjes në Mushtisht, projekti nën llupën e ekipit të Auditimit Social në Suharekë

Një grup prej 14 qytetarëve, të profesionave e moshave të ndryshme, u bënë pjesë e ekipit të Auditimit Social në Komunën e Suharekës dhe për disa muaj kanë monitoruar realizimin e projektit “Ndërtimi i shtegut të ecjes dhe ndërtimi i rrugës Mushtisht – Guri i Matozit dhe rrugës
Topliqan – Gjinoc – RITENDER”.

Ekipi i Auditimit Social në Komunën e Suharekës fillimisht u trajnua për dy ditë me radhë mbi procesin e Auditimit Social dhe monitorimin e projektit dhe më pas u angazhuan për të monitoruar projektin e shtegut të ecjes, që nga faza e planifikimit të projektit e deri në implementimin e tij. Gjatë periudhës shtatë-mujore, puna e tyre vazhdoi me hulumtimin dhe analizimin e dokumenteve, takimet me udhëheqësit komunal e vizita në terren dhe në fund puna e ekipit të Auditimit Social në Suharekë u finalizua me grumbullimin e gjetjeve dhe rekomandimeve në një raport.

Raporti i Auditimit Social në Komunën e Suharekës paraqet të dhëna të grumbulluara nga ekipi në mes muajve korrik dhe nëntor 2023. Në të janë kategorizuar gjetjet në katër grupe: gjetjet në procesin e konsultimeve me qytetarët, në procesin e planifikimit, në fazën e kontraktimit dhe në fazën e implementimit të kontratës. Për secilën nga këto faza ekipi i Auditimit Social në Komunën e Suharekës ka dalë edhe me rekomandime.

Në raportin 30 faqe, ekipi ka renditur gjetjet. Ekipi erdhi në konstatimin se projekti i ndërtimit të shtegut ishte kërkesë e banorëve të zonës dhe ofron mundësi zhvillimi, mirëpo ky projekt pati sfida. Në raport u evidentua se në paramasë dhe parallogari nuk ishte bërë vendosja e anësoreve të shtegut të ecjes në disnivel nga rruga siç kërkohej me projekt. Po ashtu, ekipi gjeti se pas shembjes së dheut dhe nevojës për investime shtesë, çoi në bllokim të punëve përkohësisht.

Në procesin e menaxhimit të kontratës në mes tjerash, ekipi konstatoi se plani për menaxhimin e kontratës ishte përgatitur pas fillimit të punimeve, ndërsa nuk ishin ndërmarrë masa për sigurimin e vendpunishtes.

Në raport me transparencën me qytetarë, komuna nuk kishte realizuar diskutim të veçantë publik për ndërtimin e shtegut, mirëpo kjo është diskutuar në diskutimet e përgjithshme. Ekipi gjeti se komuna e kishte publikuar në e-prokurim kontratën e nënshkruar në mes komunës dhe kompanisë ndërtuese, mirëpo nuk i kishte publikuar në mënyrë proaktive dokumentet e tjera, si raportet e mbikëqyrjes apo faturat e pagesave në faqen e komunës.

Ndryshe, fokus tjetër i këtij projekti ishte edhe transparenca e komunës në diskutimet publike. Ekipi i Auditimi Social në Suharekë erdhi në konstatimin se Komuna e Suharekës është aktive në organizimin e diskutimeve publike, dhe materialet nga to i kishte publikuar në faqen zyrtare, mirëpo gjeti se procesverbalet janë të shkruara me dorë. Po ashtu, sfidë mbetet përfaqësimi gjinor në takimet e konsultimeve publike, të cilat dominohen nga burrat.

Raportin e plotë të ekipit të Auditimit Social në Komunën e Suharekës mund ta gjeni KËTU.

Gjithashtu, më poshtë mund të shihni dokumentarin që shfaq pamjet e punës disamujore të ekipeve të Auditimit Social në pesë komunat e përzgjedhura, duke filluar nga trajnimi i qytetarëve mbi procesin e Auditimit Social, takimet dhe diskutimet e shpeshta të grupeve, vizitat në terren, takimet me udhëheqësit komunalë dhe finalizimin e raporteve.

BIRN Kosova është angazhuar nga DEMOS për të bërë lehtësimin/fasilitimin e procesit të Auditimit Social në pesë projektet e përgjedhura në Drenas, Suharekë, Kaçanik, Han të Elezit dhe Viti.

Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahjen e Komunave (DEMOS) mbështet 38 komuna të Republikës së Kosovës në arritjen e qeverisjes lokale më demokratike dhe menaxhimit më të mirë komunal. Projekti DEMOS gjithashtu mbështet Qeverinë e Kosovës në zhvillimin e politikave, të cilat janë më të favorshme për financim të bazuar në rregulla për komunat.

Auditimit Social përkrahet nga Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave (DEMOS), është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) bashkëfinancuar nga BE-ja, Suedia dhe Norvegjia, dhe zbatuar nga HELVETAS Swiss Intercooperation-Kosovo.