Pamje nga seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës - Foto: KALLXO.com

Live nga Seanca e Kuvendit

Po ashtu, Kuvendi ka miratuar me 84 vota për dhe një abstenim Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Garancisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për projektin e Trafikut Urban.

Votimi i këtij Projektligji erdhi pas miratimit të Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore.

“Edhe pse kjo Marrëveshje nuk na pëlqen fare, në diskutime me LDK-në jemi të shtërnguar ta bëjmë për shkak të marrëveshjes për Trafikun Urban”, tha Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të VV-së.

13:41

Ndërsa, Kuvendi nuk e ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes lidhur me me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, ngase të gjithë deputetët e VV-së ishin kundër.

“Fondi ka për qëllim të mbështesë bashkëpunimin rajonal, integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor”, tha ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, gjatë shqyrtimit të këtij Projektligji.

“Ky fond mund të krahasohet me një lloj Jugosllavie të re. Shqetësimi tjetër është se një nga palët nënshkruese është edhe Serbia. Nëse votohet në Kuvend ne e pajisim Serbinë me një armë ekstra me të cilin ka me na sulmu”, tha deputetja e Vetëvendosjes, Puhie Demaku.

13:27

Kuvendi ka miratuar edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe “Unicredit Bank Austria AG” për financimin e Projektit të modernizimit të shërbimeve të Kardiologjisë Invazive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Kjo marrëveshje parasheh financimin e projekteve deri në 20 milionë euro përmes kredive të buta. MF ka zhvilluar negociata me Austrinë. Ky projekt parasheh 2.6 milionë euro në maksimum. Kredia merret nga ‘Unicredit Bank Austria” dhe mirret në valutën euro. E gjithë kostoja që do te paguhet është 273 mijë euro në total. Maturi aftgjate 15.5 vite”, tha para votimit ministri i Financave, Avdullah Hoti.

13:14

Kuvendi ka miratuar me ngritje dore me 89 vota edhe raportin vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2015.

13:09

Duke e mbrojtur Projektligjin për Programin Fulbright, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, tha se ky projekt është ndër më të rëndësishmit të SHBA-së për shkëmbim akademik dhe kulturor.

“Para disa kohësh e kemi nënshkruar Memorandumin me ambasadorin e SHBA-së dhe tash po kërkojmë që të miratohet ky Memorandum që i mundëson studentëve tanë dhe profesorëve tanë që të marrin shkathtësi në SHBA, që më pastaj të kthehen dhe të kontribuojnë në vendin e tyre”, theksoi ministri.

“Menjëherë pas miratimit do ta bëjmë planin operativ në mënyrë që nga ky vit akademik t’i dërgojmë ekipet e para të studiuesve”, theksoi Arsim Bajrami.

Në fund, Kuvendi e miratoi Projektligjin me 87 vota.

http://kallxo.com/studentet-kosovare-mundesi-studimi-ne-shba/

13:07

Kuvendi i Kosovës ka miratuar kërkesat e disa deputetëve për të futur në rend dite propozimet e tyre. Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, kërkoi që të futet në rend dite miratimi i programit Fulbright, si dhe propozimi i deputetit Muhamet Mustafa për Projektligjin për kamatëvonesat. Po ashtu, me votim me ngritje dore është miratuar edhe propozimi i dytë i deputetit Mustafa për Projektligjin për Sigurinë në Komunikacion.

12:55

Ndërsa, në kohën e pyetjeve parlamentare, deputeti i Vetëvendosjes Ismajl Kurteshi tha se kryeministri është shndërru në një nxënës të keq, i cili sa herë ka pyetje parlamentare nuk vjen.

Më tej, Kurteshi i ka bërë pyetje ministrit Lutfi ZharkuL  “Z. ministër në shumë rrugë magjistrale mungojnë shenjat e komunikacionit, mungojnë tabelat në shumë fshatra, mbulimi i gropave nuk bëhet me kohë, asfaltimi bëhet keq dhe shkel e shko. Çfarë mendoni të bëni për këto probleme me rrugë magjistrale“, pyeti ai.

11:39

Ndërsa, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, duke folur për pikën 12 të rendit të ditës – Projektligjin për kinematografinë, tha se njerëzit e kësaj fushe mendojnë qe ne ende mund të punojmë që ky të përmirësohet. “Prandaj, unë e tërheq këtë projektligj”, tha ministri Shala.

11:30

Personazhi kryesor i bisedave të përgjuara, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka dhënë sqarime rreth kësaj çështjeje në Kuvendin e Kosovës.

“Sa e dëgjova ripërtypjen e një incizimi që ka ndodhur në 2011. Proces që ka vazhdu me vite me radhë dhe ka përfundu me mbyllje në mungsë provash. Edhe atëherë edhe tash kam deklaru që jam në gjendje me ju përgjigj drejtësisë”, tha ai.

“Nëse është vepër penale a krim me kontribu me hapë vende të punës e me punësu njerëz, kërkoj nga prokuroria – ja ku jam, hajdeni do të përgjigjem”, theksoi Grabovci, duke shtuar se “nëse është vepër penale pse kom lobu me kalu ligjet, pse komunikoj me kolegë deputetë për me ua sqaru me kalu ligjet, ndihem shumë mirë që kam lobu edhe për ligjin e Hoqës edhe Prizrenit”.

“Ju lutem, nëse dikush mund të gjejë diçka u bëj thirrje të fillojnë hetimet dhe unë do të jem i pari që të nisë nga unë”, tha ai.

“E di se jam fajtor vetëm për një arsye: sepse kurrë nuk jam pajtu me padrejtësitë qe i janë bërë vendit tim. Unë i frikësohem vetëm turpit!”, ka përfunduar ai.

11:24

Edhe shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Kojufca, në një deklarim jashtë rendit të ditës tha se qytetarët ishin dëshmitarë të një afere tjetër pronto.
“Shefi i shefave, Adem Grabovci, është dora e zgjatur e Veselit e Thacit, e që e përbëjnë trekëndëshin kryesor për kapjen e shtetit. Nëse je piun i shefit, ven pune ki me gjet gjithqysh, s’ka lidhje a ke konkuru a jo, s’ështe e thënë mos me ditë as emrin e institucionit ku e çka ki me punu. E din shefi i shefave. Adem Grabovci të bon edhe prokuror të shtetit me dashti. Ai e rregullon drejtësinë”, theksoi Konjufca.

“Me fjalë të tjera e knaq krejt. Këta njerëz bëjnë çka t’dojnë, por në të njëjtën kohë janë kori diplomatik që folin për shtet ligjor e partneritet me miqtë ndërkombëtar”, tha ai.

11:10
Në një deklarim jashtë rendit të ditës në Kuvendin e Kosovës, deputeti Albin Kurti tha se me Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi shpallet që Kosova nuk ka kufi.

“E kur nuk ki kufi nuk ki territor, e kur nuk ki territor nuk ki shtet, e kur nuk ki shtet nuk ki qytetarë, e kur nuk ki qytetarë je refugjat”, theksoi ai.

“Kjo Marrëveshje e Thaçit e Hysenit me homologë është marrëveshje e kapitullimit. Në këto vitet e fundit ka ndodhur një luftë në bjeshkët e Rugovës, e unë e di që ju nuk keni dëgjuar për të. Kjo Marrëveshje është marrëveshje e kapitullimit… Kuvendi i Kosovës së shpejti po ftohet ta bëjë legjitimimin e kësaj tradhtie. Konferenca (tryeza) e djeshme e ka dëshmuar se qytetarët dhe opozita në përgjithësi kanë pasur të drejtë”, tha ndër të tjera Kurti.

10:55

Para Kuvendit të Kosovës momentalisht nuk ka të mbledhur njerëz.

Ajo që shihet është prani më e shtuar e policëve.

Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur një protestë të qytetarëve për në orën 10:00 për të kundërshtuar sipas tyre tentimin e Qeverisë për ta kontrabanduar Marrëveshjen për Demarkacionin.

Policia para Kuvendit