Liria e befason Gjilanin në shtëpi, Trepça’89 dhe Flamurtari ndahen në paqe (Foto)

Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit të xhiros së nëntë në Ipko Superligën e Kosovës. Gjilani ishte nikoqir i Lirisë, e Trepça ’89 i Flamurtarit.

Liria ka arritur t’u kthehet fitoreve pas një serie negative.

Ekipi nga Prizreni ka mposhtur Gjilanin në shtëpi të vetë me rezultat minimal.

Golin e ka realizuar Fatih Karahoda në minutën e 42-të pas asistimit nga Qëndrim Gashi.

Pas kësaj xhiroje, Gjilani radhitet në pozitën e pestë me 14 pikë, ndërsa Liria në vendin e 10-të me nëntë pikë.

Ndërsa ndeshja ndërmjet Trepçes ’89 dhe Flamurtarit ka përfunduar në paqe. Ndeshja ka përfunduar baras 2:2.

Të gjithë golat në këtë ndeshje u shënuan në pjesën e parë.

I pari i cili e hapi llogarinë ishte Alban Shillova i Flamurtarit në minutën e 19-të, ndërsa për vetëm gjashtë minuta Martin Mirecevski arriti ta barazojë rezultatin, por përsëri ishin mysafirët që kaluan në epërsi në minutën e 26-të me anë të Adem Maliqit, ishte përsëri Martin Mirecevski në minutën e 39-të që barazpeshoi gjithçka në “Riza Lushta”.

Pas kësaj xhiroje Flamurtari radhitet në pozitën e katërt me 16 pikë, ndërsa Trepça ’89 në pozitën e shtatë me 11 pikë.