FKK: Ndeshja Ulpiana - Vllaznia ishte e kurdisur, iniciohet procedurë disiplinore ndaj personave të përfshirë
Komisioni i Garave të Superligës dhe të Ligës së Parë të Federatës së Futbollit të Kosovës ka konstatuar se ndeshja mes KF Ulpiana dhe KF Vllaznia e Pozhoranit, e zhvilluar në kuadër të javës së 21-të të Raiffeisen Liga e Parë, grup B, ishte e kurdisur.
Sipas njoftimit të FFK-së, ndeshja mes dy ekipeve ka përfunduar me rezultatin 4:3 për klubin Vllaznia e Pozhoranit. Por, FKK-ja thotë se rezultati i kësaj ndeshje nuk do të regjistrohet në tabelën e klasifikimit të ligës përkatëse.
“Bazuar deklaratat e personave zyrtar të FFK-së, xhirimeve televizive të ndeshjes, analizimit të raporteve konfidenciale për rastin u konstatua se kemi të bëjmë me kurdisje e rezultatit të ndeshjes”- thuhet në njoftim.
Komisioni i Garave të FFK-së, sipas njoftimit, ka iniciuar procedura disiplinore ndaj dy kubeve, Ulpiana dhe Vllaznia, për kurdisje të rezultatit të ndeshjes dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.
Procedura disiplinore është iniciuar ndaj zyrtarit të Ulpianës, Meriton Isufi, lojtarëve: Rigon Llugiqi, Gentian Emini e Samet Rexhepi. Procedurë është iniciuar edhe ndaj Agron Pirës, zyrtar i KF Vllaznia.